Gra rumune dhe bullgare po trafikohen për martesa të rreme me shtetas nga vende jo anëtare të BE-së në ishullin e Qipros

Arrestimi i 11 grave rumune pasi zbritën nga një avion në Qipro në korrik ka hedhur dritë mbi praktikën e martesave të rreme në ishull si një rrugë e shpejtë për të siguruar të drejtat e qëndrimit në Bashkimin Europian për shtetasit nga vende jo anëtare të BE-së.

Gratë u arrestuan në aeroportin e Larnakës dhe, sipas policisë qipriote, pranuan se ishin paguar nga 700 deri në 1,000 euro për martesa të rreme për shtetasit nga vende jo anëtare të BE-së që përpiqeshin të siguronin qëndrimin në bllok.

Dhjetë u dëbuan përsëri në Rumani, ku praktika të tilla nuk konsiderohen trafik njerëzor sipas ligjit rumun dhe nuk përballen me asnjë akuzë, tha policia rumune për BIRN. E 11-ta mbetet në Qipro dhe po hetohet nën dyshimin për organizimin e mashtrimit.

“Ndërmjetësja ishte një grua rumune e martuar në Qipro, e cila ishte ajo që bëri lidhjen midis organizatorëve në Qipro dhe organizatorëve në Rumani për të gjetur ‘nuset’ e ardhshme në Rumani”, tha për BIRN në një përgjigje me shkrim ministria e brendshme e ishullit. “Ajo ishte e përfshirë në mënyrë aktive në rregullimin e udhëtimit të tyre në Qipro.”

Ministria tha se ky nuk ishte një rast i izoluar.

Avokatë, rekrutues dhe mblesë

Aeroporti i Larnakës. Foto: Wikipedia.

Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria qipriote në maj, rreth 3,600 martesa të dyshuara të rreme u referuan në polici në 2018 dhe 2019.

“Grupi i organizuar kriminal përbëhet nga organizatorët në krye të piramidës, të cilët zakonisht janë avokatë, dhe punonjësit e tyre që organizojnë veprimtaritë kriminale”, i tha BIRN ministria e brendshme.

Shtresa e dytë janë të ashtuquajturit “ndërmjetës” – shtetas të huaj rezidentë në Qipro ose në vendin nga vijnë nuset e rreme dhe që operojnë si “lehtësues” të dasmave.

“Këta anëtarë operojnë si rekrutues që joshin qytetaret europiane, të cilat më pas bëhen ‘nuse’ , si dhe shtetasit e vendeve të treta që kanë interes për të kryer martesën,” tha ministria.

Shumica e “dhëndurëve të rremë” të identifikuar nga autoritetet qipriote vijnë nga Pakistani, Bangladeshi dhe India dhe janë në Qipro me leje studimi ose pune që kanë skaduar ose do të skadojnë.

Qeveria thotë se ka vërejtur gjithashtu një trend në rritje të azilkërkuesve që tërheqin kërkesat e tyre për azil pasi martohen.

“Në rast se leja e tyre e qëndrimit ka skaduar, ata këshillohen ose nga organizatorët ose nga ndërmjetësit të paraqesin një kërkesë për azil në mënyrë që të zgjasin qëndrimin e tyre në Qipro dhe të kenë shansin për të kryer ‘martesën’”, tha ministria e brendshme.

Pak përfundojnë duke qëndruar në Qipro, duke preferuar të udhëtojnë tutje në Britani, Gjermani ose Itali në bazë të dokumenteve të marra përmes martesës, tha për BIRN policia rumune.

Ndërsa në rastin e korrikut gratë u paguan nga 700 deri në 1,000 euro, kostoja për dhëndrin mund të variojë midis 3,000 dhe 6,000 euro, e ndarë midis “organizatorëve” dhe “ndërmjetësve”.

Angazhim i gjatë

Sipas autoriteteve qipriote, shumica e nuseve të rreme janë nga Rumania dhe Bullgaria, vende që u anëtarësuan në BE në 2007, por ku varfëria, veçanërisht në zonat rurale, mbetet një problem.

“Ato zakonisht mashtrohen pasi u ofrohet një punë e paguar mirë në Qipro dhe kushte shumë të mira pune”, tha ministria e brendshme, megjithëse nuk është e pazakontë që disa nga gratë e dinë natyrën e vërtetë të udhëtimit.

Ministria tha se në rastet kur gratë mashtrohen ato trajtohen si viktima të trafikimit njerëzor.

Komisioneri i policisë rumune Jenel Sogor tha se gratë rumune u rekrutuan nga “rrjete ndërkombëtare kriminale” të cilat, tha ai, shfrytëzojnë vendet ku martesa të tilla “nuk i nënshtrohen vlerësimit dhe kontrollit të duhur, siç është rasti në Qipro”.

Gratë regjistrohen nga autoritete qipriote si të punësuara dhe, shpesh, lidhin marrëveshje të falsifikuara qiraje me dhëndrit e tyre të rremë si provë se ata jetojnë bashkë. Gratë janë të detyruara të dorëzojnë dokumentet e tyre personale, si sigurim që ato nuk do të ikin.

Por misioni i tyre nuk përfundon me ceremoninë e martesës.

Certifikata e martesës shpesh përdoret për të aplikuar për letra qëndrimi për të afërmit e dhëndrit, ndërsa të porsamartuarit informojnë autoritetet për qëllimin e tyre për të lënë Qipron dhe për t’u larguar drejt një shteti tjetër anëtar të BE-së. Vetëm kur sigurohet kjo gjë, nuset mund t’i kthehen jetës së tyre. Edhe atëherë, “ata zakonisht janë të detyruar të jenë të disponueshme në çdo kohë, madje edhe të udhëtojnë në Qipro, për kontrolle policore” për të vërtetuar martesën e tyre, tha ministria.

Raportet e mediave qipriote thonë se vendi është përballur me ankesa nga Portugalia dhe Letonia, vende anëtare të BE-së, – ku janë rekrutuar shumë prej nuseve të rreme – që nuk po bëjnë mjaftueshëm për të goditur mashtrimin.

Qipro ka miratuar standarde më të rrepta për të demonstruar vërtetësinë e një martese dhe dënime më të ashpra për ata që shpallen fajtorë për mashtrim të sistemit.

 

nga Reporter.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne