Grekët e Pavarur tërhiqen nga koalicioni qeveritar, Tsipras kërkon votëbesim

Shkak për këtë ka qenë votimi i Marrëveshjes së Prespës në Shkup dhe miratimi i saj në ditët në vijim nga Parlamenti grek.

Ishte kjo ngjarje që e ka shtyrë kreun e Partisë Grekët e Pavarur, Panos Kammenos, të japë dorëheqjen pas një takimi gati një orë mëngjesin e së dielës me kreun e qeverisë.

“Çështja e emrit të Maqedonisë nuk më lejon të mos sakrifikoj postin tim”, ka deklaruar ish-ministri i Mbrojtjes duke shtuar se nuk mund të vazhdojë më bashkëpunimin qeveritar.

Kjo është ndjekur nga një deklaratë e menjëhershme e Kryeministrit Tsipras, i cili para këtyre zhvillimeve ka kërkuar votëbesim të qeverisë dhe kjo i ka dhënë fund bashkëjetesës mes Grekëve të Pavarur dhe Syriza-s.

Tsiprasi ka deklaruar gjithashtu se pas këtij zhvillimi do të shkojë tek kryetari i Parlamentit dhe do të kërkojë votëbesimin e 300 deputetëve të tij, proces ky që pritet të zhvillohet ditën e enjte.

Nëse ai dështon, atëherë vendi shkon për 40 ditë në zgjedhje të parlamentare të parakohshme, të cilat do të zhvillohen përpara atyre për Parlamentin Evropian dhe zgjedhjeve bashkiake në maj të këtij viti.

Por kreu i qeverisë ka shprehur besimin se ai zotëron 151 deputetë, të cilët do t’i japin votëbesimin për të vazhduar deri në tetor, kur është edhe afati normal i zgjedhjeve. Partia Syriza ka 145 deputetë në Parlament, por votëbesimin thuhet se do t’ia japin qeverisë edhe 6 ose 7 deputetë të tjerë.

Në rast se arrin edhe këtë fitore, Tsiprasi do të sjellë në Parlament Marrëveshjen e Prespës brenda disa ditëve. Ai shprehet i sigurt se edhe marrëveshje do të miratohet me shumicën absolute të votave./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne