“Greqia është gjithmonë e hapur për dialog me Turqinë për zonat detare”

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, të enjten shprehu gatishmërinë e tij për të diskutuar rreth demarkacionit detar me Turqinë.

“Greqia është gjithmonë e hapur për dialog me Turqinë për të kufizuar zonat detare”, deklaroi Mitsotakis në një forum ekonomik në kryeqytetin Athinë.

“Ne mund ta diskutojmë hapur për të, dhe nëse konfirmojmë përfundimisht se nuk mund të pajtohemi, gjithmonë ekzistojnë mënyra për ta referuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare (të Drejtësisë) në Hagë se si ta zgjidhim problemin, por gjithmonë duke respektuar absolutisht të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

Mitsotakis tha se tani nuk është epoka e diplomacisë me armë dhe se kuptimet e tilla i përkasin shekujve të kaluara.

Duke vënë në dukje se Ankaraja dhe Athina kanë marrëdhënie “komplekse”, ai përmendi marrëveshjet e demarkacionit të zonës detare të Turqisë me Libinë, duke pretenduar se ato ishin “të pavlefshme”.

Në nëntor, Turqia dhe Libia nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për demarkacionin e zonave të juridiksionit detar.

Pakti mbron të drejtat e Turqisë në Mesdheun Lindor përballë shpimit të njëanshëm nga administrata Qipriote Greke, duke sqaruar se Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) gjithashtu ka të drejta për burimet në zonë.

Mitsotakis gjithashtu mbrojti marrëveshjen që vendi i tij nënshkroi të martën me Italinë për kufijtë detarë për të krijuar një zonë ekskluzive ekonomike (EEZ) midis dy vendeve, duke theksuar se ishte e vlefshme.

Ai tha se “nëse Turqia përpiqet të shkelë të drejtat tona të sovranitetit, ajo do të shohë një përgjigje jo vetëm nga Greqia por edhe nga Evropa”.

Ai shtoi se kjo nuk është rruga që duan të ndjekin, por “nëse diçka e tillë ndodh, do të ketë pasoja të rënda”.

Turqia është një komb garantues për TRNC dhe vazhdimisht ka kontestuar shpimin e njëanshëm të administratës Qipriote Greke në Mesdheun Lindor, duke pohuar se TRNC gjithashtu ka të drejta për burimet në zonë.

Në vitin 1974, pas një grushti shteti që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja duhej të ndërhynte si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua Republika Turke e Qipros Veriore.

Dekada kanë kaluar duke regjistruar disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros, por të gjitha përfunduan me dështim. E fundit, e zhvilluar me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqia, Greqia dhe Britania e Madhe, përfundoi në vitin 2017 në Zvicër./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne