Haradinaj ‘çan rrethimin serb’ në Francë, ‘shpëton’ Kadri Veselin në Kosovë

Ramush Haradinaj i cili qëndroi për afër katër muaj në Colmar të Francës si duket ka pasur kohë të mjaftueshme të reflektoj për të ardhmen e tij politike në Kosovë, ndërsa lëshonte deklarata bombastike nga Franca, ku edhe zgjoi reagimet kundërshtuese të Serbisë. Ky reflektim i tij zgjoi admirim tek shqiptarët si tërësi, dhe arriti të fuqizohej politikisht.

Epitetin prej “heroit” të fituar që nga Haga e deri tek Franca, dje kreu i Partisë Demokratike, Kadri Veseli ia shpërbleu duke ia “dhuruar” postin e kryeministrit ish-shokut të tij të luftës dhe kundërshtarit të tij në politikë, edhe pse ky post ishte një ambicie e ushqyer kaherë nga vetë lideri i PDK-së, Veseli, shkruan Kosova Post.

Si triumfues nga “izolimi” në Francë me kërkesën e Serbisë, Haradinaj erdhi një muaj më parë në Kosovë, i pritur ngrohtësisht nga populli, institucionet dhe subjektet politike, por pa e ditur se pas një muaji ai do të jetë “shpëtimtari” i Kadri Veselit dhe PDK-së.

Se a ishte Franca ajo që fuqizoi Haradinajn apo kreu i Partisë Demokratike, analistët politikë në vend thonë se Haradinajn më shumë e ndihmoi Veseli sesa Franca.

Imer Mushkolaj i kontaktuar nga Kosova Post ka vlerësuar se Haradinaj pas kthimit nga Franca edhe përkundër retorikës së tij nacionaliste nuk do të mund të bëhej kryeministër, por sipas tij atë e “ndihmoi” Veseli për ta shpëtuar veten në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Haradinajn e fuqizuan politikisht rrethanat e krijuara dhe momenti i përshtatshëm për të provuar së realizuari synimin e vet. Ai e përdori pas kthimit nga Franca një retorikë të ashpër nacionaliste, por kjo nuk do t’ia rriste atij gjasat për t’u bërë kryeministër, po që se Kadri Veseli, duke u ndjerë i rrezikuar nga zhvillimet e fundit, nuk do t’ia ofronte këtë mundësi”, ka thënë Mushkolaj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne