Rajoni

Haradinaj e përsërit: Kufijtë e Kosovës nuk negociohen

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij për çështjen e kufijve të Kosovës. Ai deklaroi se kufijtë e shtetit të tij nuk negociohen. Ai tha se askush nuk është kundër që shteti të rritet, por nuk do të negociohet kurrë ajo çka është arritur.

Gjatë një takimi në Kuvendin zgjedhor të Aleancës së të Rinjve të Kosovës në Ferizaj, Haradinaj tha se FSK-ja do të krijohet.

“Po ju siguroj se mandati i Ushtrisë tonë është i plotë dhe nuk ka dallim prej mandateve të ushtrive tjera të shteteve sovrane, pra nuk ka asnjë mungesë. Çdo e drejtë e një ushtrie që ekziston, e ka FSK-ja. Ia kemi dhënë këtë mandat. Çka është më rëndësi, e kemi fituar besimin për këtë punë që po e bëjmë, për pjekurinë që po tregojmë, për seriozitetin që po tregojmë të aleatët tanë. E kemi fituar besimin edhe të serbëve të Kosovës, ka të rinj e të reja serbë që janë pjesëtarë të FSK-së, ka edhe tjerë që po duan mu bë, edhe pse po u bëjnë presion do po e lëshojnë, do të tjerë prapo po duan mu bë. Do të rritet për 2-mijë. Ato qëndrimet rreth negocimit me Serbinë, ne jemi të vetëdijshëm se edhe duhet mençuri, edhe duhet zgjuarsi, edhe duhet zotësi, por një gjë po ashtu e di, që s’bënë me ngucë atë që është mbërri, pra s’guxojmë me rihap Kosovën, kufijtë, territorin. Nëse shtohemi e rritemi, askush nuk është kundër, por s’guxojmë me hap për diskutim, negocim atë që kemi mbërri, pra është gabim. Sot me të gjitha paritë politike që jemi në koalicion, kemi ra dakord për një rezolutë, që thotë: kufijtë janë të pa negociueshëm”, tha Haradinaj.

Burimi: BalkanWeb

OPINIONE