Rajoni

Haradinaj: Kosova është e interesuar ta vazhdojë bashkëpunimin me Turqinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, Hulusi Akar, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend dhe rajon si dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, transmeton AA.

Siç njofton komunikata nga Zyra e Kryeministrit, Haradinaj e ka njoftuar ministrin Akar për progresin e përgjithshëm në Kosovë, prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjendën e Reformave Evropiane, zhvillimin ekonomik, si dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka falënderuar ministrin Akar dhe shtetin e Turqisë për ndihmën e dhënë Kosovës në të gjitha periudhat dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar mbështetjen edhe për proceset e tjera zhvillimore dhe rrugën e integrimeve euroatlantike.

“Republika e Kosovës dhe Turqia kanë bashkëpunim të frytshëm dhe Kosova është e interesuar që edhe në të ardhmen ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në fushën e sigurisë dhe atë të ekonomisë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj e ka uruar ministrin Akar me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, duke e falënderuar atë për kontributin e personelit ushtarak dhe civil turk brenda KFOR-it për paqe dhe siguri në Kosovë.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka vlerësuar progresin e Kosovës në të gjitha fushat, duke thënë se Turqia do të vazhdojë mbështetjen e Republikës së Kosovës në fushën e sigurisë, ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe integrimet euroatlantike të Kosovës./ AA

OPINIONE