Haradinaj: Para Kosovës janë tre tema të ndjeshme, Ushtria, Interpoli dhe vizat

 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi sot se ndërrimi i ministrit të Punëve të Brendshme Bejtush Gashi, miratimi i pakos së ligjeve për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, nuk do të ndikojë në liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Haradinaj duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas senacës së Qeverisë tha se ministrat i emërojnë partitë që janë në koalicionin qeverisës, ashtu që ai pranoi vendimin e Aleancës për Kosovën e Re që Gashi të ndërrohet dhe emërohet Ekrem Mustafa në këtë pozitë. Ai theksoi se procesi i liberalizimit të vizave nuk varet vetëm nga një njeri.

“Unë kam pasur respekt për kolegun tim, ministër Gashin, realisht dinamikat janë më të shpejta që i kemi në qeverisje dhe ardhja e ministrit të ri është një mundësi. Pra, mund të jetë mundësi e mirë edhe për temën e liberalizimit, nëse ministri e merr seriozisht axhendën e vet”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës tha se nuk ka pritur që në rend dite të Kuvendit të Kosovës tashmë të enjten të gjenden në lexim të parë pakoja e tre ligjeve për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, por se leximi i dytë sigurisht do të jetë pas 20 nëntorit, gjegjësisht pas votimit për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Haradinaj tha se para Kosovës janë tre tema shumë të ndjeshme: Ushtria, Interpoli dhe liberalizimi i vizave.

“Njëra është krejtësisht vendim nacional pra Ushtria e Kosovës. Do të punojmë jo me folklor por saktë t’i kryejmë punët tona, e kemi Interpolin, nuk është proces i thjeshtë dhe i lehtë, mjaft vështirë do të shkojë. Do të bëjmë kujdes që të kryhet si i ka hije dhe në respekt. Unë mendoj që policia jonë pastaj do të kishte mundësi për të treguar kush është, pra të bëjë shumë me partneritet të suksesshëm me organizatat e policive të botës”, tha Haradinaj.

Kur është fjala për procesin e liberalizimit të vizave, ka mbetur edhe një vendim i ministrave të Punëve të Jashtëm të BE-së, të cilët do të mblidhen në fillim të dhjetorit.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne