Hetuesit gjejnë telefonin e Admir Muratajt të vrarë pas grabitjes në Rinas

Një telefon celular i gjetur në furgonin në mbishkrimin “hetimi tatimor” që u përdor nga banda kriminale për të realizuar grabitjen spektakolare mesditën e 9 prillit në Rinas, është prova më e fortë, që ka në duar grupi hetimor në prokurorinë për Krime të Rënda…

Sipas asaj që shkruan “Balkan Web” celulari mendohet të jetë përdorur nga Admir Murataj, i konsideruar si “truri” i grabitjes, i cili mbeti i vrarë. Telefoni është dërguar për ekspertizë me qëllim zbardhjen e çdo komunikimi të realizuar me të. Hetuesit kanë shpresa se në këtë mënyrë mund të identifikojnë edhe bashkëpunëtorët e Muratajt, të cilët janë në arrati.

Prokurorët e çështjes, “zbarkuan” në Rinas, ku sekuestruar pranë zyrave të TIA-s, të gjithë praktikat, kontratat apo urdhrat e brendshëm, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive të secilit institucion. Hetuesit kanë zbuluar se automjeti, i cili u dogj pak minuta pas ngjarjes, në zonën e Bathores, rezulton se ka qëndruar i parkuar aty prej 5 ditësh. Kjo konfirmohet nga pamjet e dy kamerave sigurie në zonë dhe dëshmitë të disa banorëve.

Burimet thonë se personi që i vuri flakën automjetit, ishte i veshur me rroba të zeza dhe është larguar prej andej me biçikletë sportive të bardhë. Dyshimet janë se anëtarët e grupit e dogjën këtë automjet, me qëllim për të tërhequr vëmendjen e policisë në anën e gabuar ndërsa grabitësit dyshohet të jenë larguar në anën e kundërt, drejt tuneleve të Tapizës, ku të nesërmen e ngjarjes u gjet i djegur një tjetër furgon.

Këtë të premte në mesditë, familjarë, të afërm dhe miq i dhanë lamtumirën e fundit Admir Muratajt, i cili do të prehet në varrezat e fshatit Çerem të Tropojës. Në paraburgimin 313 pati revoltë nga Aleksandër Murataj, vëllai i Admirit, të cilit nuk iu dha leje për të shkuar në varrim. Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve tha në rrugë jozyrtare se kishte informacion që Aleksandër Muratajt mund t’i rrezikohej jeta gjatë udhëtimit nga Tirana në Tropojë./lapsi/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne