Historia e trishtë e familjes shqiptare në Maqedoni: Kurrë s’kam kërkuar një kafshatë bukë, tek Allahu i kam shpresat

“Kurrë nuk i kam kërkuar kujt të më japë një kafshatë bukë, turp më vinte ta bëja por sot kur shoh dy mbesat që nuk fusin kurrgjë në bark, s’mundem më ta përballoj atë pamje”.

Është ky mesazhi që del nga shpirti i një gruaje shqiptare që sheh vuajtje prej 15 vitesh. Gruaja, 60 vjeç tashmë, nuk ka fuqi të punojë. Nermin Veseli është shqiptare e Maqedonisë.

Besimin në Zot e ka të fortë dhe shpesh i lutet Atij për ndihmë, e sidomos në ditët kur i biri Vehabi vjen në derën e shtëpisë duarbosh. Punë nuk ka gjetur dhe e gjithë familja që pret prej tij diçka sado të vogël, do duhet të luftojë nevojën për një copë të thatë buke.

Burri i Nerminit u sëmur në moshë të re. 8 vite qëndroi i paralizuar në shtrat dhe një ditë u largua nga kjo botë. Në atë kohë 29 vjeçari Vehab ishte vetëm 11 vjeç. La shkollën dhe doli rrugëve për të shitur cigare. Që në atë kohë nisi jeta e tij si kryefamiljar i shtëpisë.

Sot Vehabi është 29 vjeç, ka dy vajza, Mualën 6 vjeçe dhe Melisën vetëm 2 muajshe. Thotë se del në mëngjes dhe kthehet në darkë. Punon çfarë të gjejë, por ato pak të holla nuk dalin.

Gruaja e tij Ajseri është e prekur nga anemia kronike dhe e ka të pamundur të punojë. Jo të pakta janë rastet kur ajo sëmuret.

Por lotët e nënë Nerminit janë ato që tregojnë përtej fjalëve dhimbjen e paimagjinueshme që provon përditë kjo familje. Nermini betohet para Zotit se kurrë nuk ka lypur, por sot nuk mundet më.

Nermini: Unë 60 vjet i kam, kom pa të këqija e të këqija e të këqija… me të sëmurë, kulisave e pa bukë. Kam hek shumë. Kujt si kam thënë të më japë një copë bukë, se më vinte rëndë shumë. Allahu ma ka shkrujt kështu jetën. Djali me thoshte mos u mërzit nënë se nesër do na sjelli dikush bukë. Djali ka hequr shumë, por shyqyr Zoti ja ka dhënë një familje. Po punon nga ora 6 deri në 8 të darkës, por me 5 euro në ditë çfarë do të bëjë…

Më dhimbsen shumë fëmijët. Unë e di sesi kam duruar, por smundem më… (qan) Nuk jetohet tre ditë pa bukë… veç me pak ujë e kripë. Pa bukë kam nejt e kurrkujt nuk i kan thënë ma jep një kafshatë… rëndë më vinte dhe ti se di sesa rëndë më vjen tani. Nuk kam zgjidhje tjetër, tek Zoti kurrë nuk i kam humbur shpresat… por tani djali është bo me fëmijë…

Përveçse të ardhurave të pakta, familjes Veseli i ndodhi dhe një incident mjaft i rëndë. Në shtëpinë e fundit ku qëndronin, bombula e gazit mori flakë. Fatmirësisht tragjedia u shmang, kurse disa ditë më vonë, e gjitha familja përfundoi në mes të rrugës.

Nermini: Plasi bombula… djali e kapi me dorë dhe ju dogj dhe dora…

Gruaja e Vehabit, Ajseri: Kemi dale jashtë, kemi ndenjur të gjithë natën jashtë, vajza e vogël ka qarë gjithë natën…

Nermini: Na dha afat me dalë pronari i shtëpisë dhe dolëm jashtë

Vehabi: S’pata mo ku me shku, vajza e vogël vetëm qante…

Gruaja e Vehabit, Ajseri: Ishalla Zotit kurrë nuk na ndodh më ajo

Vehabi:Në atë moment, thojsha pse jam gjallë… se familjen ta shohësh ashtu në rrugë, në park ulur, me nonën e familjen… ma mirë është vdekja.

Nermini: Djali më thoshte mos u mërzit o nënë. Gazetarja na gjeti e na mori. Për dy muaj na ndihmoi dhe e paguam qeranë, por sot rrezikojmë të dalim jashtë shtëpisë prap.

Vehabi: Ka pas raste që vajza e madhe ka ngrënë vetëm bukë me ujë. Presim preje meje të gjithë. Një ditë mos me punu e me ardh në shtëpi, s’ka kush me ngrënë.

NDIHMA E VYER E GAZETARES QË E GJETI FAMILJEN NË PARK NË MES TË TË FTOHTIT

Fahrie Bakiu ishte gazetarja e cila e gjeti familjen e nënë Nerminit në ditën më të vështirë, në rrugë dhe pa çati mbi kokë. Gazetarja në një komunikim me emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” tregoi dhe momentet sesi e gjeti familjen, ndërsa foshnja nuk pushonte së qari nga të ftohtit.

Fahrie Bakiu: Momentalisht jam pranë tyre. Këtë familje e kam marrë me emocion, për arsye se unë insistova dhe u mundova t’i xnjerr në ekran. Ato nuk pranonin dhe asnjëherë nuk ja kanë shtrirë dorën asnjeriu. I gjeta atë natë në një gjendje shumë të vështirë psikologjike. Vajza e madhe kishte temperaturë dhe po ngrinte të ftohtit. Thirra disa miq dhe e gjetëm një shtëpi me qera. Disa donatëorë i dolën në krah kësaj familje dhe i gjetën një banesë. Fatkeqësisht nuk posedonte asgjë shtëpia dhe më tutje dolën disa donatorë të tjerë dhe deri diku u gjendën gjërat kryesore. Por për ta zgjidhur problemin përfundimtar për këtë familje ne nuk kemi patur mundësi. Unë jam thjesht një gazetare.

Ola Bruko: Pra qiraja është provizore

Gazetarja Bakiu: Pikërisht doja këtu të dilja. Çështja nuk është zgjidhur por unë bëj apel për një zgjidhje më afatgjatë. Mua si nën më preku jashtëzakonisht ky rast. Në fytyrën e çdo fëmijë fundja unë shoh fëmijët e mi dhe nuk do doja ta shihja kurrë vajzën time ashtu siç pashë vajzën e madhe atë ditë, duke ngrirë të ftohtit dhe me ethe.

Kjo familje ka mbetur disa muaj më parë 6 muaj pa energji. Familja ka rrezikuar njëherë jetën kur ka shpërthyer bombula e gazit. Vehabi i ka nxjerrë fëmijët jashtë dhe fatmirësisht nuk ka patur dëme veçse ato materiale. Kur kam ardhur në vendngjarje kam parë tmerr. Gruaja e Vehabit sapo kishte lindur e madje ajo është e sëmurë me anemi dhe sëmundja e saj është goxha e rëndë. Në këtë familje është vetëm Vehabi ai që duhet të mbajë në shpatulla të gjitha hallet.

Ola Bruko: Ju uroj punë të mbarë. Besoj se shumë shpejt do të dëgjohemi me lajme më të mira për këtë familje.

Elvis Naçi: Duke u bashkuar të gjithë bashkë, shpresojmë shumë që ne edhe këtë familje ta sigurojmë me një banesë të re. Moti i ftohtë po vjen. Vehabi është rrit jetim, nënë Nermini ka qenë e ve. Këto na bëjnë që të gjithë të bashkohemi fort dhe që lotët e kësaj nëne nga lot trishtimi t’i kthejmë në lot gëzimi. Ne shqiptarët e Maqedonisë i kemi merak se fundja në Shqipëri e Kosovë tashmë ka dy shtete shqiptare.

Sidrit Bejleri: Të dy bashkë e kemi prek realitetin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe e dimë shumë mirë se çfarë personaliteti kanë ata njerëz. Nuk kan për të qenë të paktë shqiptarët e Maqedonisë që do të kontribuojnë. Nënë Nermini ka qenë ajo që s’ka dash me dalë e me kërku lëmoshë.

FALË SHQIPTARËVE NJË DRITË SHPRESE BIE MBI FAMILJEN E NËNË NERMINIT

Elvis Naçi vendos të shkojë në Shkup, për të takuar vetë familjen e nënë Nerminit e për të dhënë një lajm të gëzueshëm që do t’i ndryshojë jetën kësaj familje të vuajtur.

Naçi së bashku me familjen ndalojnë në hyrjen e një apartamenti. Aty nënë Nerminit i jepet çelësi i shtëpisë së saj të re. Më në fund falë shqiptarëve dhe emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” familja e nënë Nerminit do të mund të jetojë si të gjithë të tjerët, në një çati dhe në kushte njerëzore.

Nënë Nermini: Të falënderoj ty dhe Zotin… zemrat e shqiptarëve s’ndalen kurrë. Ma boni hallall, jeni mundu për mu, për plakën… ju falënderoj me zemër.

Elvis Naçi: Kjo është shtëpia e juaj, siç e shihni, me të gjitha letrat, çertifikatën, mobiliet. Të gjitha janë tuajat.

Nermini: Kurrë nuk e kisha mëndu se do jetoja në shtëpinë time (Qan)

Naçi: I ke lotë gëzimi këto?

Nermini: Po pasha Zotin, (qan dhe fshin lotët)

Elvis Naçi: Jemi lodhur sepse lëvizëm në vende të ndryshme… por kur lëviz për këtë çështje, ishte një kënaqësi e madhe. Kjo familje ka jetuar për 15 vite rrugëve e imagjinojeni gëzimin kur ata panë një shtëpi.

Në atë shtëpi ka jetuar një gazetar që ka pas jetuar me familjen. Shtëpia ishte e mirëmbajtur dhe besoj se kemi bë diçka madhështore. Ne do të jemi përkrah shqiptarëve me sa të kemi mundësi, për t’i lumturuar ata.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne