Humbi garën, flet Ylli Gurra: KMSH e kapur, ndikime nga gylenistët e kemalistët

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra ka akuzuar se institucioni i KMSH-së është i kapur dhe i shitur. Këto akuza të rënda, Gurra i bëri pas zgjedhjes së Bujar Spahiut në krye të Komunitetit Mysliman me 59 vota.

Në një prononcim për mediat, Gurra foli për katapultime të krerëve të myslimanëve në vend, ndërsa duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse ka ndërhyrje nga jashtë, myftiu i Tiranës deklaroi se në këtë kapje, kanë pjesë edhe “gylenistët apo kemalistët”.

Fjala e plotë e Gurrës:

Para pak ditësh kërkova më shume të drejtë shtyrjen e zgjedhjeve të komunitetit, për arsyen kohë, komunikim me besimtarët me të gjitha myftinitë si dhe për arsye të marrjes së drejtpërdrejtë të besimtarëve të ankesave të tyre.

U vërtetua ajo që përkundër dëshirës time të zjarrtë, i përkushtuar për të drejtuar një komunitet mysliman të shqiptarëve për shqiptarët, sot jemi para një fakti të një kapje të institucionit. Lejomëni të flas në shqipen e Naim Frashërit.

Sot ndjej të gjithë detyrimin qytetar, që nën presionin e atëhershëm të këtyre organizimeve iu imponua myslimanëve shqiptar një titullar që në 5 vite, s’keni pa asgjë në komunitet. Humbje të tëra pronësish, duke përjashtuar nga çdo lloj bashkëpunimi, myftininë Tiranë.

Pas kësaj, kemi një faturim mbi KMSH të barrëve që nuk i takojnë. Edhe ato pak të ardhura, kanalizohen në mënyrë të paditur jashtë objektivave që ka komuniteti.

Influencë nga jashtë Shqipërisë?

Organizëm okult, ata të cilët i kanë imponuar komunitetit mënyrën e zgjedhjeve të anëtarëve, po edhe katapultimin e titullarit. Gylenistët apo kemalistët sigurisht që nuk janë pa ndikime në këtë rrjedhë ngjarjesh dhe në të tilla katapultimesh të krerëve të myslimanëve të këtij vendi.

Ajo që më imponoi të jem në këtë garë është se KMSH duhej t’i rikthehej imazhi i para një shekulli. Kemi një farsë të zgjedhjes në këtë mënyrë.

Jam shqiptar, mysliman, ushtari i askujt, i qëndroj i palëkundur shërbimit tim për këtë vend dhe në këtë vend./TIRANA TODAY

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne