Indonezi, rritet në 1.424 numri i viktimave nga tërmeti

Është rritur në 1.424 numri i viktimave nga tërmeti dhe cunami pasues që goditi të premten ishullin Sulawesi në Indonezi.

Zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Katastrofave në Indonezi (BNPB), Purwo Nugroho në një konferencë për media tha se numri i viktimave nga tërmeti dhe cunami pasues është rritur në 1.424.

Ai deklaroi se në fatkeqësinë e tërmetit dhe cunamit 2.549 persona kanë pësuar lëndime ndërsa më shumë se 100 të tjerë janë zhdukur.

Nugroho ka njoftuar se 61.867 persona qëndrojnë në strehimore të përkohshme dhe se mbi 2.000 shkolla në rajon janë dëmtuar, ku për vazhdimin e procesit arsimor do të përdoren klasa të përkohshme.

Ishulli Sulawesi javën e kaluar u godit nga një tërmet i fiqushëm, i cili shkaktoi cunami dhe valë të larta nga tre deri në gjashtë metra në qytetet Donggala dhe Palu. Tërmeti me intensitet 7.5 ballë ndodhi 27 kilometra në veri të Gjirit të Palus, treguan të dhënat e Institutit Amerikan për Vrojtime Gjeologjike (USGS).

Burimet lokale, nga ana tjetër, thanë se tërmeti ishte me magnitudë 7.4 ballë.

Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.

Tërmetet që goditën ishullin Lombok të Indonezisë në fund të korrikut dhe në muajin gusht me magnitudë 6.3, 6.9 dhe 7 ballë lanë të vdekur 563 persona ndërsa u plagosën mbi 450 mijë.

Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm me intensitet 9.1 ballë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit humbën jetën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne