Instituti Ndërkombëtar i Shtypit i kërkon Ramës të ndërpresë heshtjen për dhunën ndaj gazetarëve

IPI, një nga organizatat më të rëndësishme të lirisë së medias në botë, deklaroi të martën se Shqipëriia duhet të hapë hetime dhe të identifikojë policët përgjegjës për ndalimin e pajustifikueshëm të tre gazetarëve, duke u bashkuar në këtë mënyrë me zyrën e BE-së në Tiranë, OSBE-në dhe Ambasadën e Suedisë.

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) dënoi me gjuhë të ashpër rastet e shoqërimit të tre gazetarëve nga policia ndërsa këta të fundit po dokumentonin rastet e dhunës policore mbi të rinjtë protestues, duke i bërë thirrje drejtuesve të policisë dhe kryeministrit Edi Rama të hetojnë episodet dhe të gjejnë personat përgjegjës.

“Ne dënojmë ashpër këto sulme të qarta dhe flagrante kundër lirisë së medias,” deklaroi Scott Griffen, zëvendësdrejtor i IPI.

“Autoritetet duhet të hetojnë menjëherë raportimet mbi gazetarët e dhunuar nga policia, përfshirë gjatë kohës së mbajtjes të ndaluar,” vijon më tej deklarata.

Së paku tre gazetarë u ndaluan dhe u shoqëruan për në komisariat gjatë të gjashtë ditëve të protestave të të rinjve, të shkaktuara nga vrasja e një 25 vjeçari nga një oficer policie.

“Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë Rebani Jaupaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet menjëherë të përgjigjen për këto akuza dhe të identifikojnë dhe dënojnë ata oficerë që janë përgjegjës,” shkruan IPI.

“Kryeministri Edi Rama duhet të dënojë publikisht këto arrestime. Vijimi i heshtjes prej tij vetëm sa do të rrisë dyshimin se autoritetet kanë diçka për të fshehur”.

Gazetari Xhoi Malësia nga Ora Neës u ndalua nga policia ndërkohë që raportonte live mbi sulmet e protestuesve ndaj një stacioni policie në Tiranë. Ndërsa ai filmonte arrestimet e të rinjve, një grup oficerësh iu afruan atij dhe i kërkuan të ndalonte xhirimin. Malësia deklaroi se është goditur nga një polic me shpullë në komisariat ndërsa policët e shanin nga familja.

Qamil Xhani, kryeredaktor i Koha Jonë, u arrestua nga policia pasi po fotografonte dhunën policore ndaj protestuesve që gjendeshin në derë të redaksisë së tij. Atij iu vunë prangat pavarësisht se tregoi se ishte gazetar dhe u shoqërua për në komisariat. Xhani thotë se celulari i tij u rrëmbye dhe fotot e bëra me celular u fshinë.

Malësia ka dorëzuar kallëzim penal kundër policisë me ndihmën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Një kërkesë për të parë pamjet e kapura nga kamerat e policisë brenda stacionit të policisë në natën e sulmit të aluduar, u refuzua.

Më 12 dhjetor, Shefqet Duka, redaktor në median Durrës Lajm, u ndalua nga policia në Durrës ndërsa o kthehej në shtëpi nga puna, shpjegoi për IPI Blerjana Bino, nga Rrjeti Gazetarë të Sigurt. Pavarësisht se ai u deklarua se ishte gazetar, Duka u mor në stacionin policor për marrje në pyetje dhe u akuzua se ishte protestues.

Po në të njëjtën natë, Aldo Mustafa, gazetar në Syri.net në Durrës, thotë se policia e sulmoi dhe e pengoi të xhironte ndalimin e protestuesve të rinj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne