Rajoni

“International Maarif Schools of Kosova” fillon vitin shkollor 2017/2018

Me rastin e fillimit të vitit shkollor 2017/2018, me ceremoni solemne dhe në praninë e personaliteteve të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Turqisë “International Maarif Schools of Kosova” ka hapur dy degët e saj në Kosovë, atë në fshatin Qellopek të Lipjanit dhe atë në qytetin e Prizrenit, raporton AA.

Në ceremoninë e hapjes së shkollës në Qellopek, ku përveç zyrtarëve të lartë nga Turqia dhe Kosova të pranishëm ishin edhe personalitete të shquara nga fusha të ndryshme, prindër, nxënës dhe të tjerë, u adresua zv/kryeministri i Arsimit Kombëtar të Turqisë, Orhan Erdem, i cili përgëzoi të gjithë stafin dhe nxënësit për hapjen e kësaj shkolle, duke u uruar një vit të mbarë shkollor të gjithë nxënësve.

“Fondacioni Maarif do të ofrojë edukim cilësor në Kosovë”

Erdem shprehu besimin se Fondacioni Maarif do të ofrojë edukim cilësor në Kosovë, ndërsa nxënësit e kësaj shkolle do të jenë individë të suksesshëm në të ardhmen. Ai theksoi se prindërit dhe nxënësit e kësaj shkolle duhet të jenë të bindur se prapa shkollave të Fondacionit Maarif qëndron dashuria dhe respekti i shtetit dhe popullit 80 milionësh të Turqisë për Kosovën dhe popullin e saj.

Erdem bëri të ditur se Fondacioni Maarif është themeluar në vitin 2016 për ta mbrojtur sistemin edukativ nga një organizatë djallëzore, për të cilën siç tha ai, në fillim është paraqitur si një organizatë joqeveritare dhe duke përdorur emrin e shtetit turk, ka hapur institucione të ndryshme në botë. Por në fakt, shtoi ai, është organizatë terroriste që ka qenë aktori kryesor në tentativën për grusht shteti në Turqi.

“Mesazhi im është ky… Në Kosovë ekzistojnë vetëm dy shkolla turke të cilat në emër të Fondacionit Maarif kanë të drejtën ta përdorin flamurin turk dhe prapa të cilave qëndron Republika e Turqisë, për shkak se janë shkolla turke dhe mund të thuhet dhe pretendohet se janë një institucion arsimor brenda ligjeve dhe rregullave të sistemit të Ministrisë së Edukimit të Kosovës. Pra, këtë të drejtë e ka vetëm fondacioni Maarif”, tha Erdem.

“E ardhmja e Kosovës së fuqishme dhe demokratike në sytë e nxënësve të shkollës Maarif” 

Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i Fondacionit Maarif të Turqisë, Birol Akgün, tha se sot është një ditë e lumtur për shkak se ka parë të ardhmen e ndritshme të Kosovës së fuqishme, demokratike dhe stabile në sytë e nxënësve të kësaj shkolle. Ai shtoi se Turqia zhvillimin e saj ka arritur përmes investimin në forcën njerëzore, duke theksuar se edhe Kosova duhet të investojë në njerëzit e vetë.

“Ne dëshirojmë që këtyre nxënësve t’ua mësojmë shkencën moderne dhe teknologjinë në kuadër të vlerave globale dhe të zhvillimit shkencor. Në kuptimin modern, që secili prej tyre të bëhet lider në shoqërinë e tij, sepse e ardhmja e Kosovës është e ndritshme dhe krijuesi i kësaj të ardhme është elementi ‘njeri’”, deklaroi Akgün.

Duke bërë të ditur se Maarif është themeluar me një ligj, është e mbështetur nga pozita dhe opozita turke, si dhe ka përfaqësitë e saj në 33 shtete të botës, Akgün tha se ky fondacion nuk ka axhendë politike ose ideologji të fshehtë dhe do të operojë duke i respektuar ligjet dhe rregulloret e Kosovës.

“Ma hapjen e shkollave Maarif, marrëdhënieve Turqi-Kosovë i është shtuar një hallkë më shumë” 

Ndërkaq, ambasadorja turke në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, theksoi se çdo fillim mban në vete lumturinë, shpresën dhe emocionet për të ardhmen, duke shtuar më tej se për një periudhë shumë të shkurtër kohore Fondacioni Maarif ka arritur të hap dy shkollat e saj. Ajo tha se Turqia gjithmonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë afër shtetit mik të Kosovës, duke e përkrahur në shumë fusha të ndryshme.

“Fusha e arsimit ka qenë një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve tona dhe sot këtu me fillimin e vitit të ri akademik në shkollat e Fondacionit Maarif të Turqisë, marrëdhënieve tona iu është bashkangjitur një pjesë shumë e pasur dhe e veçantë. I është shtuar një hallkë më shumë këtij zinxhiri të marrëdhënieve prandaj jemi shumë të lumtur. Ne besojmë se shkolla jonë do të kontribuojë në arsimimin e shtetit mik të Kosovës me edukimin e standardit të lartë dhe me stafin akademik të zgjedhur dhe të talentuar”, tha Ambasadorja Kılıç.

Edhe drejtori i shkollës Maarif në Prishtinë, Necdet Balkı i cili poashtu u adresua para të pranishmëve, theksoi se ekipi akademik i kësaj shkolle do të mundohet që t’i zhvillojë aftësitë e edukimit të secilit nxënës një nga një. Ai tha se kanë krijuar një ekip shumë të mirë për të punuar në përmbushjen e qëllimeve të këtij institucioni arsimor.

Pas hapjes së shkollës në Qellopek të Lipjanit, të pranishmit në këtë ceremoni u drejtuan në qytetin e Prizrenit për të shënuar hapjen e vitit shkollor 2017/2018 të degës së saj të dytë në Kosovë.

“Kjo shkollë le të kontribuojë që Kosova të ngritet përmes fushës së arsimit”

Gjatë ceremonisë në Prizren, drejtori i kësaj degës së shkollës në Prizren, Ali Sedat Aslan, tha se nëse stafi do t’ia del mbanë që gjenerata e edukuar në këtë shkollë të kenë karakter lideri, atëherë ky investim i tyre do të ketë kuptim të madh.

“Uroj dhe kërkoj nga krijuesi i madhërishëm që shkollat Maarif në Kosovë të japin shërbime të dobishme për popullin. Kjo shkollë le t’i shërbejë popullit që të përgatiten gjenerata zonja dhe zotërinj të cilët kanë karakter të liderëve. Le të kontribuojë që Kosova të ngritet materialisht dhe shpirtërisht përmes fushës së arsimit”, deklaroi Aslan.

Aslan në fund të fjalimit prezantoi edhe stafin e shkollës Maarif në Prizren.

“International Maarif Schools of Kosova” në muajin qershor kishte organizuar “Bursat dhe provimin e vendosjes së nivelit”, ku 59 nxënësve iu është dhënë bursa prej 100 për qind dhe zbritje në ritme (nivele) të ndryshme. Kjo shkollë ka 70 nxënës dhe licencë në nivelet parashkollore, kopsht për fëmijë, atë fillor dhe të mesëm.

Në ceremoninë e hapjes së degëve të shkollës Maarif në Kosovë morën pjesë edhe ministri i Administratës Publike i Kosovës, Mahir Yağcılar, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Kosovës, Ferid Agani, kryetari i Komunës së Mamushës, Arif Bütüç, koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë, Mehmet Ülker, zëvendësdrejtoresha e shkollës Maarif, Azemine Kukaj, si dhe të tjerë.

Kujtojmë se Fondacioni Maarif i Turqisë dhe kolegji International American Academy of Kosovo (IAAK) më 25 prill kishin nënshkruar një protokoll, nëpërmjet të cilit kjo shkollë iu transferua Fondacionit Maarif./ AA

OPINIONE

INTERVISTA