Opinion

Interneti ishte i popullit, korporatat ia grabitën

nga Jonathan Freedland.

Unë ua vë fajin bluzave T-shirt. Atyre bluzave të thjeshta, të përditshme, aq të preferuara nga gjenitë e teknologjisë si Mark Zuckerberg, Steve Jobs, Sergey Brin, Larry Page dhe të tjerët, me të cilat na gënjejnë e na japin një ndjesi të rreme sigurie.

Edhe kur filluan të bëjnë para me lopatë, shumë prej nesh menduan se këta që shmangnin kostumet e kravatat, njerëzit që zotëronin Facebook e Google, nuk ishin gjigantët e zakonshëm të kapitalizmit por persona që kishin ruajtur atë shpirtin modest që kishin pasur që në nisje: njerëz me talent, me guxim, të drejtuar nga dëshira për të bërë gjëra të bukura me kompjuterë. Ata ashtu e kanë parë veten, sigurisht. Google e ka përmbledhur misionin e vet në tri fjalë magjepsëse: “Mos Bëj Ligësi”. Është e çuditshme se si ndikimi i këtij imazhit “jo-formal” të drejtuesit mund të zgjasë me dhjetëra vite. Britanikët nuk e shihnin “Virgin” si korporatat e tjera gjigante, vetëm sepse Richard Branson mbante flokë të gjatë dhe mjekër.

Në fakt, nuk ishte vetëm pamja e jashtme. Idealizmi që shfaqnin me kompanitë, bënin që konsumatorët t’u jepnin gjigantëve teknologjikë të paktën mundësinë e dyshimit. Që në lindje, interneti është parë si prurës i barazisë dhe lirisë. Ky “ungjill” i ri thoshte që informacioni dëshiron të jetë i lirë, pa censurë dhe pa pagesë. Dukej se kishte ardhur një utopi e re teknologjike. Ose, siç e përshkruante Zuckerberg qëllimin e kompanisë së tij: “Facebook u jep njerëzve pushtetin për të ndarë informacion e për ta bërë botën më të hapur, më të lidhur”.

Këto fjalë kanë shije të hidhur tani, pasi rrëfimit tronditës të Carole Cadwalladr, e cila tha se Cambridge Analytica kishte marrë të dhënat e 50 milionë përdoruesve. Vetëm pak kohë më parë, interneti dhe rrjetet shoqërore po shiheshin si fuqia që mund të sillte ndryshimin për mirë, duke shfuqizuar të mëdhenjtë e duke forcuar të dobëtit.

Një shembull shumë domethënës sillet te “Lufta me 140 Karaktere: Ja se si Mediet Shoqërore po Ndryshojnë Formën e Konflikteve në Shek. 21”, një libër i mprehtë, shkruar nga David Patrikarakos, që ka marrë shumë kritika të mira. Duke punuar si korrespondent, e teksa raportonte disa nga konfliktet e kohëve të fundit, ai ishte befasuar nga rritja e dukurisë që ai e quante “Homo Digitalis”, një njeri i vetëm, i armatosur me jo më shumë se një smartfon, që arrin të ndryshojë mënyrën se si bota percepton luftërat që ndodhin rrotull tyre. Tregon se si një 16 vjeçar nga Gaza, Farah Baker, përdori një llogari në Twitter për të raportuar në kohë reale bombardimet e përditshme që kryheshin në verë të vitit 2014. Ai krijoi një audiencë ndërkombëtare duke lënë pas edhe ushtrinë e fuqishme izraelite. “Në epokën e medieve shoqërore”, shkruan ai, “edhe shtetet më të fuqishme që mund të fitojnë beteja fizike në terren, mund të humbasin luftën politike”.

Ka shembuj të pafund, që nga adoleshentët egjiptianë që përdorën Facebook për të protestuar në Sheshin Tahrir, deri sa arritën të rrëzojnë regjimin e Mubarakut, e deri te blogeri britanik që vërtetoi se Rusia kishte ofruar armën që rrëzoi avionin MH17 mbi Ukrainë, duke shkërmoqur mohimet e forta që vinin me ngulm nga Moska. Në secilin rast ekuilibri mes palëve ishte shumë ndryshe, dhe prapë, pala më e dobët fitoi.

Falë medieve shoqërore, interneti ka pasur një fuqi të decentralizuar. Më përpara informacioni jepej nga lart, poshtë. Nga qeveritë ose organizatat e lajmeve, te turma e njerëzve. Tani njerëzit e turmës kanë mundësinë të flasin me njëri-tjetrin dhe me të gjithë botën. Duket sikur kështu është materializuar të paktën një nga shpresat e hershme që kanë pasur dashamirësit e utopisë teknologjike.

Dhe Cambridge Analytica ka shkatërruar pikërisht këtë shpresë. Tani po kuptojmë se ata në krye, partitë politike dhe qeveritë që ua mban xhepi një shpenzim të tillë, janë angazhuar për ta ri-centralizuar këtë pushtet. Ata panë se si funksiononin mediet shoqërore, duke fuqizuar individët dhe rrjetet e individëve, dhe vendosën të kapin pikërisht këto armë dhe t’i përdornin vetë.

Tundimi i tyre është mëse i kuptueshëm, sepse gjurmët dixhitale që lëmë pas rrëfejnë shumë për karakterin. Shikoni modelin e ndërtuar nga shkencëtarët e universiteteve të Stenfordit dhe Kembrixhit. Vetëm duke parë “pëlqimet” në Facebook, ata mund ta kuptojnë karakterin tënd me një saktësi të frikshme. Mjaftojnë 10 “pëlqime” që kompjuteri ta njohë përdoruesin më mirë se ç’e njohin kolegët e punës. Me 150 “pëlqime” ia parashikon mendimet më me saktësi se pjesëtarët e familjes, prindërit, vëllezërit e motrat. Me 300 “pëlqime” kompjuteri të njeh më mirë se ç’njohin bashkëshortët njëri-tjetrin. S’është çudi që fushata e Trump dhe shumë të tjerë ishin gati t’i jepnin thasë me para Cambridge Analytica-s. Këtë javë u takova me Hossein Derakhshan, një “Homo Digitalis” i vërtetë, i njohur gjithashtu si “babai i blogerëve iranianë”, pasi u dënua me gjashtë vite burg për shkak të veprimtarive në internet. “Parashikueshmëria është kontroll”, më tha ai, duke kujtuar se çfarë pushteti kishin pasur mbi të autoritetet që e arrestuan. “Pasi arrin të parashikosh veprimet dhe reagimet e dikujt, mund ta kesh nën kontroll”.

Prandaj janë kaq domethënëse rrëfimet e Cambridge Analytica dhe Facebook. Është një përpjekje për të rrëzuar fuqinë që interneti i jepte individit dhe për të rikthyer hendekun tradicional midis sundimtarit dhe të sunduarit. Cambridge Analytica u premtonte klientëve se do t’u kthente mënyrën e vjetër të shpërndarjes së lajmit, me ata në krye që u japin atyre poshtë mesazhin që duan. Vetëm se këtë herë mesazhi do të maskohej sikur të ishte pjesë e vetë turmës, që përhapej në mënyrë virale nga një person tek tjetri, pa lënë gjurmë apo shenja gishtash që të lidheshin me ata në krye. Siç ka pohuar një drejtues i Cambridge Analytica në një video të filmuar fshehurazi: “Thjesht vendosim informacion në enët e gjakut të internetit dhe pastaj rrimë dhe shohim se si përhapet, pa asnjë gjurmë që ta lidhë me ne.”

Hipokrizia është e qartë. Lëvizja e Trump-it, që hiqej si populiste, po u hiqte njerëzve mjetin që i fuqizonte dhe po ua kthente politikanëve, duke u dhënë mundësinë të manipulonin votat e të shfrytëzonin frikat e tyre. Patikarakos nuk habitet aspak nga kjo. “Nga pikëpamja dixhitale, shekulli i 21-të i përket liberalëve”, thotë ai. Teknologjia është e prekshme nga kushdo, por Moska merr guximin të financojë një “fabrikë trollësh”. Agjencia e Kërkimeve të Internetit në Shën Pitersburg prodhon gënjeshtra dhe urrejtje pa fund. Londra dhe Uashingtoni s’do të guxonin të ndërmerrnin lëvizje kaq skandaloze, ose sepse do ta shihnin si shkelje të normave demokratike, ose do t’i druheshin shumë ekspozimit. E gjitha varet nga niveli i cinizmit të gjithsecilit. Por Kremlini nuk përulet para detyrimeve të tilla.

Rrëfimet e kësaj jave nuk janë tamam humbje e pafajësisë: shumë i kishin humbur iluzionet për internetin që vite më parë. Tani do të ketë çmagjepsje të reja. Të dhënat tona personale nuk mund t’i kenë përgjuar vetëm fushatat politike, me kompani të ngjashme si Cambridge Analytica. Me siguri që do të dëgjojmë së shpejti se si korporata të tjera të mëdha luajnë po njësoj me shpresën dhe frikën që shprehim nëpër internet, vetëm për të na shitur produktet e tyre. Por s’duhet të presim të dalë dikush e të na shpjegojnë gjithçka që po ndodh, për të kuptuar se duhet të veprojmë. Ndoshta duhen miratuar rregulla të reja; ndoshta duhen vënë ligje “antitrust” për të ndaluar gjigantët e teknologjisë që veprojnë si monopole. Më pëlqen ideja e Derakshanit, për ta detyruar Facebook-un dhe të tjerë që të hapin një treg për algoritmet: domethënë, nëse s’të pëlqejnë preferencat e tanishme të rrjeteve shoqërore për popullaritet, (retweets), dhe më të rejat (latest), ti duhet të kesh lirinë për të zgjedhur një algoritëm tjetër që vepron në bazë të vlerave të tjera kompjuterike.

Kjo çështje nuk është (ende) e humbur. Ka edhe histori suksesi, si Wikipedia, e cila menaxhohet nga publiku dhe mund të jetë një shembull shumë i mirë. Por për këtë duhet të lëmë pas naivitetin e viteve 2000. Kompanitë teknologjike janë korporata të pangopura që kanë nevojë të zbuten, edhe sikur të kenë një pronar që vjen në punë me patina, apo duke veshur atë dreq bluze T-shirt./The Guardian

OPINIONE