Intervista/ Arlind Qori rrëfen të ardhmen politike të Lëvizjes studentore: Jam marksist si Bernie Sanders!

Arlind Qori, një prej drejtuesve të Lëvizjes Studentore ka rrëfyer për Hapur.al, të vërtetën e zërave mbi krijimin e një “partie studentësh, por edhe atë që kjo lëvizje do të sjellë në ditët e ardhshme.

I etiketuar si marksist nga Edi Rama, por edhe nga opozita, Qori nuk kompleksohet por thotë se ka të njëjtin botëkuptim si lideri laburist britanik, apo kandidati për president në SHBA, Bernie Sanders.

Prej tashmë dy javësh po flitet për një strategji për të përshkallëzuar protestën në një mënyrë që ajo të shkojë në pikën më të fortë, si mendoni që janë rrugët për të arritur këtë?

Prej ditës së parë, thelbi i protestës ka qenë spontaniteti dhe mungesa e organizatorëve apo e përfaqësisë. Studentët e mbledhur në fakultete dhe në sheshe janë shprehësit më të mirë të asaj që mund të quhet demokraci e drejtpërdrejtë. Ata nuk janë turmë, që tërhiqen për hunde nga ndonjë kryetar apo pararojë, por një shumësi sa plurale në ide, simbole dhe taktika, aq edhe unitare në frymë.

Në këtë kuptim, askush nuk mund të hartojë strategji mbetjeje në vend apo përshkallëzimi. Kush punon pas kuintave, do të marrë përgjigjen e merituar të shumësisë studentore – siç e ka dhënë gjithë këto ditë.

Nëse ndokush do të pyeste për sugjerimin tim modest, atëherë unë jam i mendimit se bllokimi i jetës universitare dhe masiviteti i protestave janë “dhuna” e vërtetë, ajo “dhunë” që e paralizon politikisht qeverinë, ia heq legjitimitetin dhe nuk i lë rrugëdalje përpos dorëzimit të plotë përpara kërkesave studentore.

Thuhet shumë shpesh këto ditë që këto protesta kanë tronditur shoqërinë? Sipas jush ku konsiston kjo tronditje, në kuptimin që pas protestave përeç realizimit të objektivave, çfarë ndryshimi do të sjellin në shoqëri?

Përveç protestave antisistemore të studentëve të 1990-1991, kurrë më parë nuk ka ndodhur që një shumësi kaq e madhe studentësh dhe qytetarësh të kenë protestuar. Protesta ka qenë autentike, spontane, e papërlyer nga partitë politike – ndonëse janë përpjekur pa sukses të fusin duart – dhe në vazhdim e sipër edhe në javën e tretë të saj. Kjo protestë, që sot, e ka emancipuar shoqërinë duke theksuar vetorganizimin e shumëfishtë, duke bërë të shpërthejë imagjinata kolektive dhe vënë në plan të parë vajzat.

Jetësimi i kërkesave studentore do të sjellë një hap gjigand përpara në përmirësimin e jetës universitare: nga përballueshmëria ekonomike e studimeve te cilësia e universiteteve. Përveç të tjerave, ajo do t’i japë fund logjikës klienteliste të politikave arsimore dhe do të tronditë karakterin feudal të universiteteve publike.

Edhe më shumë se kaq, që sot kjo protestë po shkund shtresa të tjera shoqërore anembanë Shqipërisë. Të gjithë po flasin për të dhe po frymëzohen nga ajo. Me siguri që të tjera pjesë të shoqërisë do të ndjekin shembullin e studentëve duke e futur në krizë të parikuperueshme këtë sistem të kalbur politiko-ekonomik.

Është folur që dje që studentët duhet të bëjnë një organizim për të arritur tek një grup përfaqësues. Ju mendoni se ka ardhur koha për këtë përfaqësim dhe cila do të ishte rruga për të arritur këtë?

Nuk jam unë që vendos nëse studentët do të zgjedhin ose jo përfaqësi. Mirëpo mendimi im është se forca e deritanishme e studentëve ka qëndruar pikërisht te mungesa e përfaqësisë. Në këto kushte, çdo përfaqësi do të ishte e dobët përpara qeverisë. Kurse shumësia studentore është shumë herë më e fortë.

Mjaft studentë në protestë po thonë vazhdimisht se na ka ardhur në majë të hundës duke votuar për partitë e establishmentit, duam të votojmë partinë tonë. Duke qenë se këto zëra janë artikuluar edhe në formë lajmesh në media, ju e shikoni të duhur kohën për një parti të re që lind nga kjo lëvizje?

Midis ardhjes në majë të hundës dhe formimit të partive të reja shtrihet një oqean i tërë. Nëse ka njerëz që në këto kushte mendojnë të krijojnë parti nga lëvizja studentore, ata ose janë matrapazë, ose kanë mendimin dhe imagjinatën politike të një lope. Skema “gjej një lëvizje dhe përfito të krijosh një parti” është sa e vjetër, aq edhe e leqendisur.

Shqipëria nuk ka nevojë për parti të reja, por për forma të reja organizimi dhe veprimi shoqëror. Për shembull, jeta universitare ka nevojë për unione studentore të forta, të zgjedhura klasë pas klase, me logjikë delegimi dhe jo përfaqësimi – jo si agjencitë e deritanishme turistike të quajtura këshilla studentorë. Nga ana tjetër, punëtorët kanë nevojë për sindikata reale, të organizuara sipas të njëjtës logjikë. E kështu me radhë për të gjitha shtresat shoqërore që e pësojnë nga kjo oligarki ekonomiko-politike.

Për sa i përket veprimit politik, shumë herë më e rëndësishme se një parti është organizimi për protesta, greva dhe referendume. Sikur të bëheshim bashkë disa herë në vit për të rrëzuar ligje të mbrapshta apo miratuar ligje në interes të popullit – përmes referendumeve – do të bënim për Shqipërinë më shumë se të gjitha partitë e reja e të vjetra bashkë. Po ju marr një shembull të freskët. Atë që francezët po arrijnë sot përmes protestave të fuqishme dhe kombinimit të spontanitetit me organizimin horizontal nuk do ta kishin arritur kurrë me zgjedhje partish apo presidentësh.

Ju kanë sulmuar shumë kohët e fundit, kryesisht zëra pranë PD-së. Sipas jush pse ndodh kjo dhe si do t’i përgjigjeshit?

Me thënë të drejtën unë ndihem krenar nëse sulmet më drejtohen nga tri qoshkat e gjirizit politik të Tiranës. Të jem njëkohësisht “armik” i Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit është një nder ndaj të cilit nuk di si të jem më shumë mirënjohës.

Arsyet pse aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin janë sulmuar janë të shumta, por po përmend kryesoret. Rama me të tijtë kanë dashur ta përçajnë protestën studentore duke sajuar gogolin “marksist” që nuk po i lë studentët të ulen në tryezën e “dialogut” të tij me veten. Kurse opozita, e ballafaquar me refuzimin masiv të studentëve ndaj tentativave të saj për ta vjedhur protestën, ka kërkuar ndonjë kokë turku sa për të shpëtuar fytyrën.

Po përsëris atë që prej javësh aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin po thonë njëzëri: “Ne nuk jemi as organizatorët, as drejtuesit, as përfaqësuesit, as, as, as, as… të protestës. Ne jemi pjesë e protestës me të gjitha forcat tona.”

A jeni marksist ju zoti Qori, siç ju cilëson edhe Rama, dhe politikisht cilit krahu i përkisni. A e shikoni të mundshme një angazhim tuajin në politikë?

Ca prej dashakeqësisë e ca prej injorancës, akuzuesit ngatërrojnë tri rolet e mia publike. Si pedagog dhe studiues i shkencës politike unë e konsideroj kritikën e ekonomisë politike dhe kritikën e ideologjisë që buron nga librat e Karl Marksit – dhe që vazhdon me qindra autorë të mëpasshëm – si një nga pasuritë më të çmuara kritike të historisë intelektuale të njerëzimit. Po këtu nuk jam vetëm. Si unë mendojnë pjesa më e madhe e studiuesve dhe universitarëve të botës. Mjafton të shikoni se si diskutohen idetë e tij në universitete, libra dhe revista shkencore.

Si aktivist i Organizatës Politike – që ka për fokus të veçantë kauzën punëtore – unë dhe të gjithë shoqet dhe shokët e mi besoj se jemi aq “marksistë” sa ç’është kryetari i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn, një nga figurat më të rëndësishme politike në SHBA Bernie Sanders e sa e sa figura të tjera. Bashkë me shoqet dhe shokët e mi, unë jam prej vitesh i angazhuar politikisht në luftën për një shoqëri realisht demokratike, ku respektohen deri në imtësi të drejtat dhe liritë e njeriut e të qytetarit, me drejtësi shoqërore, mbrojtje të mjedisit, emancipim gjinor etj.

Kurse si aktivist i Lëvizjes Për Universitetin, që përfshin shumë e shumë studentë që nuk janë dhe as kanë aspiratë të bëhen aktivistë të OP, jam për një universitet publik ku studentët rekrutohen sipas meritës dhe jo xhepit, ku studentët dhe pedagogët konsiderohen bashkëthemeltarë të barabartë të universitetit dhe ku dija nuk konsiderohet mall, por kontributi më i madh në zhvillimin e mendimit dhe prodhimit shoqëror. Në këtë kuptim, pjesë e Lëvizjes Për Universitetin mund të bëhen njerëz të pikëpamjeve të ndryshme politike, se edhe një konservator apo liberal mund të vinte firmën në parimet e mësipërme.

Hapur.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne