Irani ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), pavarësisht kufizimeve të vendosura nga parlamenti.
Deklarata u bë të martën nga Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, i cili theksoi se qasja në disa objekte bërthamore të goditura nga sulme përbën një rrezik serioz sigurie, si për Iranin, ashtu edhe për inspektorët ndërkombëtarë.
“Rreziku i shpërndarjes së materialeve radioaktive, por edhe rreziku i shpërthimit të municioneve të mbetura në objekte…, është serioz,” tha Araghchi për mediat shtetërore, duke vënë në dukje se siguria e inspektorëve të IAEA është një çështje që duhet trajtuar me kujdes.
Sipas një ligji të ri të miratuar nga Parlamenti iranian, çdo inspektim i ardhshëm nga IAEA kërkon miratimin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare. Kjo masë është parë nga analistët si një përpjekje për të kufizuar transparencën në programin bërthamor të Iranit, në një kohë kur tensionet me Perëndimin mbeten të larta.
Megjithatë, Araghchi nënvizoi se Teherani nuk ka ndërmend të mbyllë dyert për bashkëpunim, duke theksuar se komunikimi me IAEA do të vazhdojë brenda kuadrit të ligjeve të brendshme dhe me respekt për sigurinë kombëtare.
Ky zhvillim vjen ndërsa presioni ndërkombëtar ndaj Iranit është rritur pas disa incidenteve në objektet e tij bërthamore, që autoritetet iraniane i kanë cilësuar si “akte sabotimi”, për të cilat shpesh kanë fajësuar Izraelin.
IAEA ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratës së fundit të Araghchit, por zyrtarë të lartë të agjencisë kanë kërkuar më herët akses të plotë, të vazhdueshëm dhe të pakushtëzuar në objektet bërthamore iraniane, si pjesë e përpjekjeve për të garantuar që programi nuk ka qëllime ushtarake.
/Panorama/

















