Irani kërkon nga Britania e Madhe deportimin e pjesëtarëve të Al-Ahvaz

Pas sulmit terrorist në qytetin iranian Ahvaz, të cilin e kreu organizata terroriste Al-Ahvaz, Irani kërkoi nga Britania e Madhe që të zbulojë vendndodhjen e pjesëtarëve të kësaj organizate dhe t’i deporotojë.

“Nga Britania e Madhe është kërkuar që të zbulojnë të gjithë pjesëtarët e kësaj organizate terroriste, të ndalojnë veprimtarinë e tyre dhe t’i deportojnë”, porositi ambasadori i Iranit në Britaninë e Madhe, Hamid Baidinejad.

Baidinejad reagoi ndaj deklaratës së zëdhënësit të organizatës terroriste Yakub Hura Tostorij, i cili pas sulmit foli për televizionin “Iran International” me seli në Londër, duke folur me lëvdata për sulmin në Ahvaz.

Ai po ashtu theksoi se Irani për kanalin në fjalë është ankuar tek agjencia rregullatore mediale britanike Ofcom, duke porositur se nevojitet të bëhet hetim mbi veprimtarinë jolegale të këtij televizioni.

Gjatë sulmit të kryer në Ahvaz të shtunën humbën jetën 25 persona, ndërsa 69 të tjerë u plagosën.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne