Istanbul, mbahet gara ndërkombëtare në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Në Istanbul të Türkiye-s është mbajtur një garë ndërkombëtare në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), raporton Anadolu.

Gara në lagjen Yesilkoy mbahet për herë të tretë, e organizuar nga Bashkia e Bakirkoy e Istanbulit dhe Shoqata “Türkiye, Bosna, Sanxhak”.

Guvernatori i Bakirkoy, Abdullah Koklu theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve midis Türkiye-s dhe BeH-së. Ai tha se gjenocidi në Srebrenicë nuk duhet t’i ndodhë më askujt.

Nënkryetari i komunës së Bakirkoy, Cavit Ganiq tha se në Srebrenicë nuk humbën jetën vetëm boshnjakët, por u vra i gjithë njerëzimi. “Qëllimi i kësaj gare është të sigurojë që gjenocidi të mos ndodhë më kurrë. Ne duam që krimet kundër njerëzimit të ndalen përfundimisht”, shtoi ai.

Kryetari i Shoqatës “Türkiye, Bosna, Sanxhak” prof. dr. Sedat Ziyade tha se në Srebrenicë është kryer një gjenocid i tmerrshëm. “Gjenocidet përsëriten nëse harrohen. Qëllimi ynë në këtë garë është pikërisht që njerëzit të mos harrojnë se është kryer gjenocid. Vranë 8.372 njerëz në vetëm tre ditë”, tha Ziyade.

Konsullja e BeH-së në Istanbul, Enisa Komar dhe konsulli i përgjithshëm i Malit të Zi në Istanbul, Branisllav Karaxhiq bënë nderimet e tyre për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë me fjalime të shkurtra.

Mbetjet mortore të 30 viktimave të gjenocidit të kryer në korrik 1995 kundër banorëve të “zonës së mbrojtur të OKB-së” në Srebrenicë do të varrosen më 11 korrik në varrezat e Qendrës Përkujtimore në Potoçari./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne