Itali arrestohet dashnorja rumune e narkotrafikantit shqiptar

GJERGJI THANASI

Policia e Milanos u është qepur me bukë në trastë narkotrafikantëve shqiptarë. Nëse narkosat tanë arrijnë të depërtojnë në thellësi të tokës italiane, pasi zbarkojnë drogën në bregdet, përsëri kjo nuk do të thotë me patjetër se trafiku i drogës përfundon me sukses. Tipik është rasti i policisë së Milanos, që pas kapjes së  11 kuintalëve marijuanë shqiptare kreu një tjetër goditje antidrogë. Në një banesë në Lagjen Gorla në Milano policia sekuestroi 57 kile hashash të ambalazhuar në bidona plastikë. Një shtetase 31 vjecare rumune e dashura e narkotrafikantit shqiptar u arrestua. Policia sekuestroi edhe 114 470 euro, që dyshohen se janë të fituara nga trafiku i drogës. Narkosi shqiptar i la pendët policisë italiane, e cila gjithsesi arriti t’i bllokojë pasaportën shqiptare narkotrafikantit.

Po në Milano policët e komisariatit të Lagjes Quarto Oggiaro arrestuan një narkotrafikant italian 51 vjecar dhe i sekuestruan atij 5,3 kile heroinë, 1,5 Kg. kokainë dhe 600 gramë hashash të ardhur nga Shqipëria. Një shqiptar, personi i kontaktit i italianit i shpëtoi prangave të policisë, e cila gjithsesi sekuestroi një revolver me numër serial të fshirë bashkë me municionin përkatës si edhe 48 000 euro të dyshuara si fryt i trafikut të drogës./ Gazeta Impakt

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne