Bota

Izraeli sërish shkon në zgjedhje të parakohshme

Në Izrael është marrë vendimi për zgjedhje të parakohshme pasi qeveria e koalicionit nuk arriti të dakordohet lidhur me çështjen e buxhetit për vitin 2020.

Vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme për shkak se buxheti për vitin 2020 nuk u kalua në afatin e duhur në parlament nga Partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe partneri i saj në koalicion aleanca (Kaltër-Bardhë) nën udhëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Benny Gantz.

Për shkak se buxheti nuk u paraqit as sot për votim, parlamenti ligjërisht shpërbëhet dhe fillon procesi i detyrueshëm i zgjedhjeve të parakohshme. Me këtë zhvillim është bërë e sigurtë se Izraeli do të mbajë zgjedhje të parakohshme për herë të katërt në dy vitet e fundit. Zgjedhjet e parakohshme nën qeverisjen aktuale me kryeministër Bejamin Netanyahu pritet që të zhvillohen në muajin mars.

Netanyahu dhe Gantz vendosën të formojnë qeverinë e koalicionit për të gjetur zgjidhje ndaj krizës qeveritare që vazhdonte në vend pas zgjedhjeve të mbajtura më 2 mars 2020. Qeveria e koalicionit e formuar nga dy politikanë rivalë filloi detyrën në maj. Por, qeveria e koalicionit e formuar nga Netanyahu dhe Gantz nuk ranë dakord për miratimin e buxhetit vjetor në parlament.

Netanyahu kërkonte votimin në parlament vetëm për buxhetin e vitit 2020 ndërsa Gantz kërkonte që në votim të përfshihej edhe buxheti për vitin 2021. Për shkak të mendimeve të ndryshme mes dy liderëve, edhe në seancën e mbajtur në gusht nuk u arrit ndonjë rezultat dhe votimi i buxhetit 2020 u shty për në muajin dhjetor.

Sipas ligjit, është e detyrueshme shkuarja në zgjedhje të parakohshme nëse buxheti vjetor për vitin 2020 nuk miratohet në parlament deri më 23 dhjetor./AA

OPINIONE