Bota

“Izraeli të heq dorë nga politika që rrezikon marrëveshjen paqësore”

Presidenti i Francës Emmanuel Macron i ka bërë thirrje Izraelit që të heqë dorë nga politika që çon në rrezik marrëveshjen e mundshme paqësore me palestinezët.

“I bëj thirrje Izraelit që menjëherë të heq dorë nga politika e rrezikimit të marrëveshjes së mundshme paqësore. Do të ishte gabim që Izraeli të vazhdojë këtë politikë”, tha Macron në adresimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Ai paralajmëroi se nuk mund të arrihet paqe duke shkelur të drejtat e palestinezëve dhe duke marrë, siç tha, vendime të njëanshme.

“Nuk ekziston alternativë e qëndrueshme se zgjidhja me dy shtete sipas të cilës (palestinezët dhe izraelitët) do të jetonin në paqe krah njëri-tjetrit”, tha presidenti i Francës.

Ai theksoi se Franca edhe më tej mbështet institucionet që veprojnë në kuadër të OKB-së, duke shtuar se do të rrisin mbështetjen financiare për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) dhe Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë të Refugjatëve Palestinezë (UNRWA).

Macron foli edhe mbi krizën në Siri, duke përmendur se nevojitet sa më parë të arrihet zgjidhje politike.

“Doemos duhet të arrijmë paqe në Siri dhe të gjejmë zgjidhje të përhershme politike”, tha Macron.

Presidenti francez paralajmëroi se në nivelin global nuk janë arritur zgjidhje të kënaqshme në sferën e financave, ekonomisë, klimës dhe mjedisit jetësor, duke theksuar se edhe OKB-së u nevojiten “reforma të shumta”.

“OKB-ja mund të bëhet simbol i dëshpërimit, disa preferojnë ligjin e të fuqishmit, por kjo nuk mbron asnjë popull. Ne e preferojmë rrugën e tretë, multilateralizmin”, tha Macron.

Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve të arrijnë një marrëveshje në fushën e mjedisit deri në vitin 2020, duke shtuar se nuk duhet të nënshkruhen marrëveshjet tregtare me vendet që nuk kanë nënshkruar Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike

Burimi: AA

OPINIONE