Pas një procesi disa mujor, SPAK ka propozuar Joni Ketën si kandidat për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit për pesë vitet e ardhshme. Komisioni pranë SPAK-ut i përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra ka votuar për emrin e hetuesit Joni Keta, oficer i Byrosë Kombëtare, zëvendësdrejtor dhe aktualisht drejtues i komanduar. Emërimi përfundimtar pritet të bëhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në datën 2 dhjetor 2025.
Keta ka një karrierë vetëm në ngjitje në fushën e zbatimit të ligjit në Shqipëri. Joni Keta ka shërbyer si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda.
BKH konsiderohet si “FBI-ja shqiptare” dhe oficerët specialë garantojnë zbatimin e ligjit në kryerjen e hetimeve cilësore në fushën e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nën udhëheqjen e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, me qëllim parandalimin, zbulimin, goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Joni Keta është ndër oficerët e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe një vit më parë, në 2024, ai garoi bashkë me gjashtë kolegë të tjerë për të marrë postin e zëvendësit të Aida Hajnaj përkohësisht. Në fund të garës, Joni Keta u zgjodh fitues dhe sot shërben si zëvendësdrejtues i BKH-së dhe njëherësh drejtues i komanduar. Tashmë Keta pritet të zgjidhet drejtor i BKH për një mandat 5-vjeçar.
7 Garuesit për kreun e BKH-së:
Andi Pogaçe
Artur Beu
Elton Kërluku
Gentian Ndoi
Gentjan Shehaj
Gledis Nano
Joni Keta./prapaskena


















