Rajoni Shqiperia

“Kacifas hero”, përplasje mes shqiptarëve dhe grekëve në Nju Jork (FOTO)

Dje pasdite, në një nga lagjet me prani të dy komuniteteve shqiptare e greke, Bay Ridge në Brooklyn, në organizimin e shoqatës Rrënjët Shqiptare “Albanian Roots”, u mbajt një protestë paqësore kundër nderimit të Kostandinos Kacifas.

Protesta ndodhi përballë qendrës kulturore Federata “Laconian” (Spartans), e cila pretendon se përfaqëson flamurin e Vorio Epirit, dhe qarqet ultra nacionaliste greke në Nju Jork dhe do të nderonte Kostandinos Kacifën, i vrarë më 28 tetor 2018, në një përplasje me armë automatike me policinë e Shtetit shqiptar në Bularat të Gjirokastrës.

Në protestë morën pjesë dhjetëra shqiptarë nga të gjitha trojet, në kushte të një të ftohti polar minus 10 gradë celsius, raporton IllyriaPress.

Ajo nisi me këngën patriotike “Shqipëri o Nëna Ime” dhe ishte mjaft paqësore, duke u mbajtur në distancën e vendosur nga forcat e ruajtjes së rendit nga NYPD, sipas rregullave të përcaktuara për lejen e protestave ne qytetin e Nju Jorkut.

Mes tensioneve të mëdha, u desh shtimi i numrit te forcave të policisë dhe “barrikada” mes të dy grupeve.

Anëtarë të Partisë Agimi i Artë, me flamurit e kësaj partie dhe disa eksponentë të organizatave që përfaqësojnë minoritetin grek, dhe organizatën Federata Laconian (Spartans), në SHBA kënduan himnin grek dhe hodhën parulla shoviniste kundër Shqipërisë dhe shanin shqiptarët si terroristë. Ndërsa 35-vjeçarin e vrarë në përpjekje me Policinë e shtetit shqiptar e cilësuan hero që sipas tyre ra për atdheun e tij.

Shqiptarët mbanin në duar flamuj amerikan e shqiptar, ndërsa këndonin këngë patriotike e thërrisnin “USA USA USA – Shqipëri Etnike – Shqipëri Etnike. Dënoni Terroristin – Dënoni Terroristin – Çamëria Çamëria” dhe trup për ju që nderoni dhe mbroni një terrorist, i cili ka qëlluar me armë automatike kundra Policisë së Shtetit”.

Përfaqësuesit e komunitetit grek, përfshirë edhe një grup të grave, përdorën sharje dhe hodhën parulla provokuese, ngritën flamurin e Agimit të Artë dhe Vorio Epirit, dhe më zë të lart thërrisnin :  “Konstantinos Kacifas, u vra se ka luftuar si shumë prej helenëve të shtypur të pambrojtur për të ruajtur identitetin e tyre grek, jugu i Shqipërisë është Greqi. Në Greqi nuk ka asnjë çam dhe nuk ekziston çështje çame – Harrojeni Çamërinë”.

Esad Gjonbalaj, nga Vuthaj një veprimtar i dalluar i komunitetit, tha se ky veprim është tepër provokues për ne shqiptarët. “Prandaj edhe unë kam ardhur në këtë protestë i nxitur nga kjo propagandë e egër e këtij komuniteti, kundër të gjithë ne shqiptarëve, kudo që jemi. Ata duke nderuar një njeri, i cili qëlloi me breshëri ndaj Policisë së shtetit shqiptar, dhe që duhet shpallur terrorist edhe kjo organizatë ultra nacionaliste me paturpësinë më të madhe në vendin më demokratik të botës, SHBA, shpallet “hero”. Trup për ju”, thirri ai.

Ndërkohë, kreu i Rrënjëve Shqiptare Marko Kepi tha se Konstantinos Kacifas, sipas raportit zyrtar të policisë është thënë se është vrarë pasi ka qëlluar drejt policisë dhe në çdo vend të botës ky akt dënohet, por ja që një organizatë greko-amerikane, që mbahet e taksat e këtij vendi, i del sot në mbrojtje mandej për paturpësi edhe e nderon atë si një “hero”. Ai tha se kjo nuk duhet të ndodhë në shekullin 21 dhe veçanërisht në Amerikë.

“Federata e Shoqërive Lakonike, duhet të organizojë një ngjarje që nderon gratë dhe fëmijët e pafajshëm të vrarë nga qarqet e ndryshme ekstremiste greke, ose për gjenocidin e çamëve, e jo të dalin e të mbrojnë e nderojnë ata që po vrasin çdo ditë nga një shqiptar. Të dënohen ata që kanë kryer siç dihet dhe një gjenocid kundër popullit të pafajshëm shqiptar të Çamërisë dhe jo të mblidhen në Amerikë vendin kampion të lirisë e demokracisë të nderojnë këtë kriminel i cili ka qëlluar kundër policisë sonë duke vënë në rrezik edhe jetën e forcave të ruajtjes së rendit”, tha ai.

OPINIONE