Bota

Kashmir, vriten dy ushtarë pakistanezë

Përleshje të ashpra në mes të forcave pakistaneze dhe indiane u regjistruan mbrëmjen e së premtes, pasiqë Pakistani dorëzoi pilotin e kapur si gjest të vullnetit të mirë, që kishte për qëllim uljen e tensioneve të shkaktuar muajin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dy ushtarë pakistanezë u vranë në shkëmbimin e zjarrit në Nakiyal, pranë linjës së kontrollit (LoC), të kufirit që ndan luginën e diskutueshme të Kashmirit, njoftoi ISPR, krahu mediatik i ushtrisë së Pakistanit.

“Në ndërkohë, janë vrarë dy civilë dhe dy të tjerë janë plagosur gjatë granatimit të sektorit Tatta Pani dhe Jandrot, pranë LoC. Forcat indiane kanë hapur zjarr përgjatë LoC-it. Shkëmbim zjarri është regjistruar në sektorin Hotspring, Tatta Pani dhe Jandrot. Forcat pakistaneze u kundërpërgjigjën duke gjuajtur pozicionet e ushtrisë së Indisë”, thekson ISPR duke shtuar se aviacioni dhe marina pakistaneze janë në gatishmëri.

Përleshje të reja shpërthyen në mes dy vendeve fqinje, të cilat posedojnë armë bërthamore, pasi që Islamabadi të premten dorëzoi pilotin indian të arrestuar në Pakistan pas rrëzimit të avionit luftarak të mërkurën në zonën kufitare në rajonin e Kashmirit.