Katari angazhohet për zgjidhje të drejtë të çështjes palestineze

Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheik Muhamed bin Abdulrahman Al Thani, të enjten u takua me një zyrtar të lëvizjes palestineze Fatah në Doha për të shqyrtuar marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje të tjera me interes të përbashkët, njoftoi Agjencia e Lajmeve të Katarit (QNA).

Në një takim me Jibril Rajoub, sekretari i Komitetit Qendror të Fatah-ut, kryediplomati i Katarit përsëriti se vendi i tij mbështet zgjidhjen e drejtë të çështjes palestineze.

“Shteti i Katarit bën thirrje për zgjidhje të drejtë të çështjes palestineze mbi bazën e vendimeve të legjitimitetit ndërkombëtar dhe Nismës Arabe të Paqes dhe mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete në mënyrë që të arrihet siguria dhe stabiliteti në rajon”, theksohet në një deklaratë.

Më parë, grupet rivale palestineze Fatah dhe Hamas ranë dakord gjatë bisedimeve në Turqi që së shpejti të mbajnë zgjedhjet. Të dy kanë qenë rivalë të egër që nga viti 2007 kur këta të fundit morën Rripin e Gazës nga i pari pas disa ditësh luftime në rrugë.

Al Thani mirëpriti përparimin gjatë bisedimeve duke rikonfirmuar “mbështetjen e plotë të Katarit për arritjen e pajtimit kombëtar”.

Deklarata e Katarit erdhi pasi mediat arabe publikuan një deklaratë që i atribuohen një zyrtari amerikan i cili foli për përgjigjen e Katarit ndaj normalizimit me Izraelin.

Në një opinion të saj për Bloomberg, Lulwa Al-Khater, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Katarit, theksoi se vendi i saj “nuk do të bashkohet” me fqinjët e Gjirit në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin “përpara se të zgjidhet konflikti me palestinezët”.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kohët e fundit nënshkruan marrëveshje të diskutueshme për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin, mes kundërshtimit të ashpër nga palestinezët, të cilët i quajtën paktet një tradhti ndaj kauzës së tyre./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne