Katari reagon ndaj akuzave të Emirateve të Bashkuara Arabe

Katari ka reaguar ndaj akuzave si “mbështetës i terrorizmit” që ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Abdullah bin Zajid Al Nahjan, bëri gjatë fjalimit të tij të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të bërë nga delegacioni i Katarit thuhet se “Për të shkuarën e Katarit janë dëshmitarë OKB dhe vendet anëtare”.

Sekretari i delegacionit Ahmed Sejf el-Kuvari tha se “Deklarata nga EBA me qëllim për të dëmtuar reputacionin e Katarit dhe për të dëmtuar marrëdhëniet e tij që ka me vendet e tjera, janë vazhdimësi e pretendimeve dhe retorikave jo të vërteta që kanë nisur vendet të cilat zbatojnë embargo kundër nesh”.

Kuvari, e ka vlerësuar si një “rrethim të plotë dhe shkelje të hapur të kushteve të OKB-së” qëndrimin e katër vendeve EBA, Arabia Saudite, Bahreini dhe Egjiptit, të cilat që prej 3 muajsh zbatojnë embargo kundër Katarit.

“EBA, në vend që të akuzojë Katarin, ajo fillimisht duhet ti japë fund aktiviteteve të saj në Libi që shkelin vendimet e KS-OKB-së dhe të ndalë blerjen e armëve nga Koreja e Veriut”, është shprehur ndër të tjera Kuvari.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, sot në një fjalim të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shprehu kritika të ashpra duke pretenduar se Katari dhe Irani “ofrojnë mbështetje për terrorizmin”. Ndërsa delegacioni i Katarit pas fillimit të fjalimit protestoi kundër EBA-së duke u larguar nga salla./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne