Katër kosovarë të riatdhesuar nga Siria po mbahen në ndalim

Nga 110 kosovarë të riatdhesuar nga Siria të shtunën, katër prej tyre po mbahen në ndalim me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).

Katër persona, identiteti i të cilëve është i njohur për Prokurorinë e Kosovës kishin pasur edhe para disa viteve procedurë penale, por kanë qenë të paarritshëm për autoritetet ndjekëse të Kosovës dhe procedura penale ndaj tyre është pezulluar.

Me riatdhesimin e tyre procedura penale ka rifilluar, me provat se ata kanë kryer veprën penale “pjesëmarrja në grupe të organizuara për kryerjen e veprave penale terroriste dhe pjesëmarrja në luftërat dhe formacionet jashtë territorit të Kosovës”.

Siç tregoi kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, në një konferencë për media, ndaj tyre pritet të merren edhe masa të tjera ligjore.

“Sot pas marrjes së informacioneve nga Policia e Kosovës, me të cilët jemi duke bashkëvepruar, kemi marrë vendimin për ndalimin e katër shtetasve të Kosovës të cilët kanë marrë pjesë si luftëtarë në Siri. Dhe, tani ata janë në masën e ndalimit dhe shumë shpejt pritet, brenda afateve ligjore, që prokurori kompetent i Prokurorisë Speciale të Kosovës të ndërmarrë edhe masat ligjore për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurën penale”, tha Lumezi.

Ai tha se pos këtyre, Prokuroria ka akte akuzuese të ngritura edhe për 119 persona tjerë. “Ne deri më tani për 119 persona kemi ngritur akte akuzuese, ndërsa për 156 persona tjerë jemi në fazën e hetimeve, dhe tani pas marrjes së informacioneve nga Policia e Kosovës të cilët janë të riatdhesuar, nëse ka edhe dikush tjetër për të cilën kemi nxjerrë aktvendim për zhvillimin e hetimeve sigurisht se edhe ata do t’i procedojmë në procedurë penale”, tha Lumezi.

Për personat që kanë hequr dorë nga statusi i shtetasve të Kosovës, siç tha Lumezi, do të fillojë procedura administrative për t’u dhënë atyre shtetësinë e Kosovës, nëse ata kërkojnë.

– Reagon presidenti Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se riatdhesimi i 110 kosovarëve nga Siria u bë falë punës së institucioneve vendore në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Thaçi në një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale tha se tani me rëndësi është trajtimi me profesionalizëm i të gjithë të kthyerve.

“Kthimi i mbi 100 shtetasve tanë nga Siria, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, u bë i mundur falë një pune të mrekullueshme të institucioneve tona, të cilat bashkëpunuan ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Tani është shumë i rëndësishëm trajtimi me profesionalizëm i të gjithë të kthyerve. Po ashtu, çdo mbështetje prej të afërmve dhe komuniteteve të tyre, të kthyerve u ndihmon të riintegrohen sa më shpejt në shoqërinë tonë. Kosova është e orientuar kah vlerat perëndimore dhe është e përkushtuar përkrah partnerëve ndërkombëtarë në luftimin e çdo terrorizmi dhe ekstremizmi që cenon këto vlera”, shkroi Thaçi.

Kujtojmë se Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri, njoftoi se 110 shtetas të Kosovës të cilët po qëndronin në Siri janë kthyer në vendlindje në orët e para të mëngjesit të së shtunës./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne