KE-ja 77 milionë euro gjobë Bullgarisë për shkelje të antitrustit në sektorin energjetik

Komisioni Evropian ka vendosur të gjobisë Bullgarinë me 77 milionë euro për monopolizim të tregut të shpërndarjes së gazit natyror.

KE-ja i vendosi një gjobë prej 77 milionë eurosh kompanisë shtetërore energjetike bullgare (Holdingu Energjetik i Bullgarisë – BEH) për bllokimin e qasjes së konkurrentëve tek infrastruktura kyçe e gazit në Bullgar, një shkelje e rregullave evropiane të antitrustit.

Në vendim konstatohet se grupi BEH ka monopol si në tregun e infrastrukturës gazi ashtu dhe në tregun e furnizimit me gaz në Bullgari. Heqja e barrierave përpara konkurrentëve do të mundësojë që tregu bullgar i gazit të funksionojë në një mënyrë më efektive, si dhe do t’u sigurojë konsumatorëve çmime më të mira dhe mundësi për të zgjedhur furnizuesit e gazit.

Komisarja evropiane për Konkurrencën, Margarethe Vestager, deklaroi gjatë një konference për shtyp nga Brukseli se KE-ja ka konstatuar që grupi BEH, i cili kontrollonte tregun e shpërndarjes së gazit natyror në Bullgari gjatë periudhës mes viteve 2010-2015, ka penguar hyrjen e operatorëve të tjerë në sektor.

Duke nënvizuar se Komisioni nuk ka arritur ta bindë Sofjen që t’i japë fund monopolit të Holdingut Energjetik të Bullgarisë në këtë sektor, Vestager paralajmëroi se të dëmtuar nga e gjithë kjo do të dalin konsumatorët bullgarë.

Pasi sqaroi se Bullgaria është gjobitur me 77 milionë euro për mungesën e një kompanie alternative që do të mundësonte furnizimin dhe shpërndarjen e gazit në vend, komisarja evropiane për Konkurrencën tërhoqi vëmendjen mbi domosdoshmërinë e formimit të një tregu që do të ofronte mundësi më shumë opsione në lidhje me shpërndarjen e gazit natyror.

Ndërsa ministrja bullgare e Energjetikës, Temenuzhka Petkova, pohoi përpara shtypit vendas në Sofje dështimin e bisedimeve për grupin BEH.

Ajo tha se Bullgaria është në pritje të dorëzimit të vendimit zyrtar të KE-së, me të cilin imponohet gjoba.

“Privatizimi i sektorit energjetik do të ishte një vendim i papranueshëm për ne. Sektori i shpërndarjes së gazit natyror ka të bëjë me sigurinë kombëtare të vendit. Nuk do të tërhiqemi, siguria kombëtare është vijë e kuqe e jona. Afati për pagimin e gjobës është tre muaj. Gjatë kësaj kohe, qeveria jonë do të bëjë çmos përballë këtij vendimi që të ruajmë interesat tona kombëtare dhe financiare në sektorin energjetik”, potencoi Pektova.

Ministrja u shpreh e gatshme po ashtu që të marrë përgjegjësinë politike për gjobën e imponuar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne