Kënga në inaugurimin e Bidenit kritikohet për temë koloniale

Disa shikues indigjenë amerikanë thonë se kënga “This Land Is Your Land” lartëson “gjenocidin indigjen” dhe “tokën e vjedhur”

Performanca e këngëtares pop, Jennifer Lopez gjatë inaugurimit të presidentit të SHBA-së, Joe Biden të mërkurën shkaktoi kritika nga disa shikues indigjenë amerikanë të cilët thanë se teksti i një nga këngët e saj i referohet të kaluarës koloniale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lopez këndoi një përzierje të këngëve “This Land Is Your Land” (Kjo tokë është toka juaj) dhe “America The Beautiful” (Amerika e bukur), pastaj foli shkurtimisht në spanjisht para se të përfundonte performancën me mega hitin e saj të vitit 1999 “Let’s Get Loud” (Le të bëhemi të zhurmshëm).

Teksti i “This Land Is Your Land”, shkruar nga këngëtari i famshëm amerikan, Woody Guthrie në vitin 1940, përfshijnë vargjet popullore: “Kjo tokë është toka juaj, Kjo tokë është toka ime […] Kjo tokë është bërë për ty dhe mua”.

Megjithatë, disa amerikanë indigjenë në SHBA, shprehën kritikat e tyre në Twitter, duke thënë se ata nuk e pëlqejnë këngën pasi ajo i referohet kohërave koloniale të vendit.

Ndërsa disa thanë se inaugurimi i Bidenit, i cili premton unitet, filloi me Lopez duke interpretuar një këngë e cila lartëson “gjenocidin indigjen” dhe “tokën e vjedhur”, një përdorues tha se kënga është “mishërimi i asgjësimit indigjen!”.

Mali Obomsawin, një indigjene amerikane nga fisi Abenaki, vitin e kaluar tha se vargjet e himnit përfaqësojnë patriotizmin amerikan i cili fshinë identitetet indigjene.

“Në kontekstin e Amerikës, të shtetit-komb i ndërtuar nga kolonializmi i kolonëve, (himni) ilustron pikën e caktuar qorre që amerikanët kanë në lidhje me indigjenët: patriotizmi amerikan na fshin, edhe nëse vjen në formën e një kënge të majtë proteste”, shkroi ajo për “Folklife”, një revistë online nga Smithsonian.

“Pse? Sepse kjo tokë ‘ishte’ toka jonë. Përmes gjenocidit, traktateve të prishura dhe një sistemi ligjor të krijuar nga dhe për interesin kolonial, kjo tokë ‘u bë’ tokë amerikane”, shtoi ajo.

“‘This Land Is Our Land’ është kënga ime më pak e preferuar”, shkroi këngëtarja indigjene, Tanya Tagaq.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne