Bota

Këshilltari i ri i sigurisë kombëtare John Bolton, politikani me agresiv i administratës Bush

Roli i ri i John Boltonit si këshilltar i sigurisë kombëtare mund të shkaktojë probleme për shefat e sigurisë gjetkë. Përkrahësi i pushtimit të Irakut, njihet gjithashtu edhe për përjekjet e tij për të nxitur dhe inkurajuar një luftë kundër Iranit.

Bolton ka punuar nën varësinë e Sekretarit të Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare gjatë administratës Bush 2002-2004, kohë në të cilën promovoi mitin e armëve të shkatërrimit në masë, për të realizuar më vonë pushtimin e Irakut. Bolton i bëri fakt të kryer armët e shkatërrimit në masë në Irak. “Ne jemi të bindur se Saddam Hussein fsheh armë të shkatërrimit në masë”, tha ai gjatë një debati në BBC në vitin 2002, duke shtuar se “nuk ka dyshim për ne se Saddam Husseini bën përpjekje për të prodhuar armë kimike dhe biologjike.”

Bolton u përpoq gjithashtu që të nxisë një luftë me Republikën Islamike të Iranit. Pasi Bush mbajti fjalimin e tij famëkeq për “boshtin e së keqes”, domethënë Irakun, Iranin dhe Korenë e Veriut, Bolton tha se ekzistonte “një lidhje e fortë mes këtyre regjimeve, një bosht përgjatë të cilit qarkullojnë armë të rrezikshme dhe teknologji të rrezikshme.

Pasi nuk u konfirmua nga shumica e senatit republikan, Bolton u emërua përkohësisht ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara nga gushti 2005 deri në dhjetor 2006. Bolton ka thëne në të kaluarën se tërheqja e SHBA-së nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve ishte “momenti më i lumtur” i gjithë karrierës së tij politike.

Bolton ka vite që e nxit SHBA-në drejt një lufte me Iranin, duke bërë madje edhe shumë fjalime për këtë gjë në Fox News. Edhe përpara se të shpallej këshilltar i sigurisë kombëtare, Bolton e shtynte Trumpin që t’i jepte fund marrëveshjes bërthamore me Iranin, (JCPOA). Politico raportoi se ishte ai që e kishte inkurajuar Trumpin që të shtonte në fjalimin e tij në tetor se marrëveshja “ishte nën një shqyrtim të vazhdueshëm dhe pjesëmarrja mund të anulohej nga unë si president, në çdo kohë”.

Emërimi i Boltonit e largon më tej Trumpin nga premtimet e fushatës së tij për një politikë të jashtme jo ndërhyrëse në punët e shteteve të tjera. Vetëm duke parë listën e instituteve studimore strategjike me të cilat është lidhur Bolton, kuptohen motivet e tij dhe kërcënimet që mund ti sjellë ai paqes.

Bolton është partner i institutit konservator amerikan të sipërmarrjeve (the American Enterprise Institute) dhe kryetar i Institutit Gatestone, i njohur për publikimet e tij të argumentuara dobët ndaj Islamit. Nina Rosenwald, themeluesja i institutit, ka shërbyer në bordin e Komitetit Amerikano-Izraelit të Çështjeve Publike (AIPAC). Këto dy organizata kanë një pikëpamje të ngjashme në lidhje me Izraelin dhe Islamin.

Ai ka bashkëpunuar gjithashtu me Projektin për shekullin e ri amerikan, një institut studimor neokonservativ i themeluar nga William Kristol dhe Robert Kagan për të promovuar “lidershipin amerikan” dhe forcën ushtarake. Anëtarët themelues të këtij grupimi i kanë mbushur radhët e administratës Bush.

Bolton ka qenë këshilltar i Institutit Çifut për Sigurinë Kombëtare të Amerikës (JINSA), i cili ka një axhendë anti iraniane dhe synon që të promovojë bashkëpunimin e sigurisë amerikane me aleatët e vet, duke mos u kufizuar vetëm tek Izraeli. Ky institut synon gjithashtu angazhimin e komunitetit të mbrojtjes amerikane për tek roli i Izraelit në ruajtjen e interesave perëndimorë në Lindjen e Mesme”./rt/Gazeta Impakt

OPINIONE