KFOR-i turk interesohet për menaxhimin e situatës ndaj koronavirusit në Gjilan

Pjesëtarë të KFOR-it turk në Kosovë kanë qëndruar sot në Qendrën Operative Emergjente në Komunën e Gjilanit ku janë interesuar për situatën dhe menaxhimin e saj nga ana e komunës dhe ekipet ndër-institucionale për parandalimin e koronavirusit (COVID-19).

Siç njofton Komuna e Gjilanit në komunikatën për media, KFOR-i turk në këtë takim është informuar për veprimet që kjo komunë ka marrë nën kryesimin e kryetarit Lutfi Haziri me të gjitha institucionet tjera relevante.

Komuna e Gjilanit bën të ditur se udhëheqës të institucioneve komunale “kanë potencuar angazhimin që është duke u bërë që nga intervenimet e shëndetësisë primare e deri në nivelin më të lartë të shëndetësisë në Spitalin Regjional dhe Qendrën Regjionale të Shëndetit Publik, duke qenë të mbështetur edhe nga Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), inspektorët komunal dhe ekipi i gjerë nga Drejtoritë dhe ndërmarrjet regjionale e komunale”.

“U tha se deri më tani gjendja është menaxhuar në bazë të ligjit, rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë dhe vendimit të kryetarit Haziri, duke besuar se me mbështetjen qytetare e cila është në nivelin maksimal dhe të komunitetit të biznesit, kjo gjendje do të tejkalohet dhe gjithçka do të kthehet në normalitet”, përfundon komunikata.

Deri më tani në Komunën e Gjilanit janë gjithsej 14 persona të diagnostikuar me koronavirusin e ri (COVID-19) ndërsa 11 prej tyre i takojnë një familjeje nga fshati Vrapçiq i kësaj komune./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne