KLSH rrëzon narrativën e qeverisë, projekti “Shkolla të Sigurta” dështim
Një raport i zgjeruar i Kontrollit të Lartë të Shtetit ngre alarm për funksionimin e sistemit të sigurisë në shkollat publike.
Auditimi, i kryer në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, institucionet vartëse dhe strukturat e Policisë së Shtetit, tregon se projekti “Shkolla të Sigurta – Oficerët e Sigurisë” ka dështuar të garantojë një mjedis realisht të mbrojtur për nxënësit.
Në raport theksohet se mirëarsimimi dhe siguria janë të ndërvarura, duke u cilësuar si “themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e individit dhe shoqërisë”. Megjithatë, KLSH konstaton se praktikat aktuale nuk arrijnë të garantojnë këtë objektiv.
Statistika të pasakta dhe realitet i deformuar
Një nga gjetjet më të rënda lidhet me mungesën e një sistemi të besueshëm të mbledhjes dhe analizimit të të dhënave mbi incidentet në shkolla. Raporti thekson: “Statistikat e prodhuara nga referimet e oficerëve të sigurisë (…) japin një panoramë të deformuar dhe të pavërtetë, duke krijuar premisa për një lexim të tjetërsuar të realitetit.”
Sipas KLSH, Ministria e Arsimit duhet të miratojë urgjentisht një udhëzues të posaçëm për mënyrën e përpunimit të të dhënave, pasi aktualisht mungojnë standardet bazë.
Oficerët e sigurisë nuk kryejnë kontrolle dhe raportimet janë formale
Auditimi evidenton se, pavarësisht udhëzimeve të qarta, oficerët e sigurisë: “nuk zhvillojnë kontrolle fizike të nxënësve ose të mjediseve, me përjashtim të rasteve sporadike”.
Po ashtu, ata nuk përdorin pyetësorë për të matur gjendjen e sigurisë, dhe komunikimi i tyre me drejtuesit e shkollave mbetet “informal dhe i padokumentuar”.
Raporti vëren edhe mungesë të theksuar të raportimeve zyrtare: “Raportet javore dhe vjetore jo rrallë herë janë të munguar, formalë, të pasaktë dhe të paplotë”.
Mungesë koordinimi dhe struktura fiktive
KLSH kritikon fort koordinimin midis institucioneve, duke theksuar se njësitë e ashtuquajtura “Zyra të koordinimit dhe monitorimit” në MAS, DRAP dhe ZVAP nuk ekzistojnë realisht si struktura të përcaktuara me rregullore: “Ky emërtim nuk është korrekt… kjo ‘zyrë’ nuk përfaqëson një strukturë të posaçme”.
Sipas raportit, oficerët e sigurisë nuk monitorohen nga asnjë institucion, duke nisur nga drejtuesit e shkollave e deri te agjencitë kombëtare që duhet të kenë këtë rol.
Trajnime të pamjaftueshme dhe mungesë logjistike
Një tjetër problem madhor është përgatitja e dobët fizike dhe profesionale e oficerëve të sigurisë: “Menaxhimi i dhunës fizike është i kufizuar, edhe për shkak të përgatitjes së pamjaftueshme që ofrohet në Akademinë e Sigurisë.”
Mungesa e mjeteve logjistike, e cila sipas KLSH “i ballafaqon oficerët me pamundësinë materiale për të ushtruar detyrimet”, e rëndon edhe më tej situatën.
Raporti i UNESCO: Shqipëria me nivel të lartë dhune në shkolla tek 11–13 vjeçarët
Për të krahasuar situatën me standardet ndërkombëtare, KLSH i referohet të dhënave të Raportit të UNESCO-s “Pas shifrave: Fund dhunës në shkolla dhe bullizmit”. Sipas tij, në Shqipëri:
19.9% e nxënësve deklarojnë se janë dhunuar: 22.6% djem, 17.3% vajza
Tek 11-vjeçarët, shifra arrin në 23.8%
Tek 13-vjeçarët, rreth 20%
Tek 15-vjeçarët, 16.1%
Në raport theksohet se Evropa ka nivelin më të ulët të bullizmit (25%), ndërsa Amerika e Veriut arrin në 31.7%.
Në konkluzion, raporti është i qartë: “Siguria në shkolla përgjatë periudhës shtator 2021 – dhjetor 2024 ka rezultuar një proces joefektiv”.
Dështimi lidhet me:
-mangësi të kuadrit rregullator
-mosushtrimin siç duhet të rolit të oficerëve
-mungesën e monitorimit
-raporte të shtrembëruara dhe të paplota
-mungesën e oficerëve të sigurisë në të gjitha shkollat
-mungesën e koordinimit mes institucioneve kyçe
KLSH rekomandon që të gjitha institucionet përfshirëse të ndërmarrin hapa urgjentë për të përmirësuar kuadrin rregullator, bashkëpunimin dhe monitorimin, në mënyrë që siguria në shkolla të mos mbetet vetëm në letër.
Pjesë nga raporti
Mirëarsimimi mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet jo vetëm e ardhmja e individit, por edhe e shoqërisë. Suksesi i këtij objektivi është i lidhur ngushtë edhe me sigurinë, që çdo nxënës dhe mësues të ndjehet i mbrojtur në mjedisin e përditshëm shkollor.
Menaxhimi i sigurisë në shkolla kërkon një ndërveprim të vazhdueshëm me nxënësit dhe stafin e shkollës, gjë të cilën policia nuk mund ta arrinte duke pasur parasysh natyrën sensitive të mjedisit shkollor. Për këtë arsye, duke synuar rritjen e sigurisë nëpërmjet ndërveprimit dhe parandalimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me anë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë “Për oficerët e sigurisë në shkollat publike”, krijuan një qasje të re nëpërmjet projektit “Shkolla të sigurta – Oficerët e Sigurisë në shkolla”.
Kjo qasje synonte të realizohej nëpërmjet krijimit të rolit të oficerit të sigurisë së shkollës. Projekti kishte si qëllim kryesor garantimin e një mjedisi të sigurt mes nxënësve brenda në shkollë, si dhe një mjedis të sigurt për ta në territorin e shkollës. Kjo qasje u vlerësua të realizohej nëpërmjet krijimit të rolit të oficerit të sigurisë së shkollës.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke synuar realizimin e misionit të tij, ushtroi një auditim me temë “Roli dhe efektiviteti i oficerëve të sigurisë në shkolla”, për periudhën shtator 2021 – dhjetor 2024, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në institucionet e varësisë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, ku u përfshinë dhe Drejtoritë Rajonale e Arsimit Parauniversitar, Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe institucione e arsimit parauniversitar. Auditimi u shtri edhe në subjektet: Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Akademia e Sigurisë.
Nëpërmjet këtij auditimi u analizua veprimtaria e institucioneve të arsimit dhe atyre të ngarkuara me rendin publik, sipas roleve dhe përgjegjësive të gjithsecilit, për të vlerësuar nëse baza ligjore aktualisht në fuqi, politikat e parashikuara dhe praktikat e ndjekura në vendin tonë, funksionojnë në krijimi i kushteve që nxënësit të ndjehen dhe të jenë të sigurte në shkolla.
Në përfundim të auditimit u evidentua, se Ministria e Arsimit dhe Sportit, duhet të miratojë një udhëzues të veçantë, për mënyrën e përpunimit dhe përdorimit të të dhënave statistikore, lidhur me incidentet në shkolla dhe shërbimin e oficerëve të sigurisë, meqë statistikat e prodhuara nga referimet e oficerëve të sigurisë në link – un e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, japin një panoramë të deformuar dhe të pavërtetë, lidhur me fenomenet dhe indikatorët e sigurisë në shkolla, duke krijuar premisa për një lexim të tjetërsuar të realitetit. Nga ana tjetër, Udhëzuesi për praktikën e punës së Oficerëve të Sigurisë e lë në diskrecion oficerëve të sigurisë, që “sipas vlerësimit të rastit” të vendosë nëse problematikën/incidentin t’ia raportojë policisë apo jo.
Miratimi i “Udhëzuesit për praktikën e punës së oficerëve të sigurisë”, më datë 11.10.2023, e institucionalizoi edhe më tej rolin e oficerëve të sigurisë. Pavarësisht parashikimeve të qarta në Udhëzues, oficerët e sigurisë nga ana e tyre, nuk zhvillojnë kontrolle fizike të nxënësve ose të mjediseve, me përjashtim të ndonjë rasti sporadik. Po ashtu, përdorimi i pyetësorëve për nxënës, mësues dhe prindër, si instrumente matëse, ose mungon fare nëpër shkolla, ose edhe në rastet kur janë përdorur, nuk janë marrë rezultate dhe të dhëna, të cilat përcaktojnë ecurinë dhe nivelin e garantimit të sigurisë në shkollë. Komunikimi i oficerëve të sigurisë me drejtuesit e institucioneve arsimore, është informal dhe i padokumentuar, Procesi i planifikimit vjetor të veprimtarisë së oficerëve të sigurisë, në shumë raste mungon, sikurse dhe procesi i raportimeve të OS – së, referuar raporteve të incidenteve/problematikave, raporteve javore dhe vjetore, jo rrallë herë është i munguar, formal, i pasaktë, dhe i paplotë.
Planet e masave për ndarjen e koordinuar të detyrave midis aktorëve të ndryshëm brenda shkollës, për trajtimin/zgjidhjen e problematikave të sigurisë, në të shumtën e rasteve mungojnë krejtësisht. Mungesa e logjistikës e ballafaqon oficerin e sigurisë me pamundësinë materiale për të ushtruar me efektivitet detyrimet funksionale. Të certifikuarit si oficerë sigurie, nuk shfaqin interes të punësohen në këtë detyrë.
Sa i përket procesit të koordinimit, emërtimi i njësive, “Zyrë koordinimi dhe monitorimi” në MAS, DRAP e ZVAP, nuk është korrekt dhe në përputhje me aktet nënligjore në fuqi, meqë kjo “zyrë” nuk përfaqëson një strukturë të posaçme dhe si e tillë nuk parashikohet në rregulloret, ku do të përcaktoheshin edhe detyrat funksionale. AKAP, si institucion përgjegjës nuk ka siguruar të dhëna nga raportimi i bërë nga proceset e punës së oficerëve të sigurisë. Oficerët e sigurisë në shkolla nuk monitorohen, as nga drejtuesit e IAP-ve dhe as nga strukturat përkatëse të AKAP, DRAP dhe ZVAP. Raportet periodike vjetore të ASCAP, nuk janë shoqëruar me trajnime specifike, apo ofrimin e një ekspertize të plotë për strukturat politike, vendimmarrëse apo aktorët e tjerë të përfshirë në proces. Menaxhimi i dhunës fizike është i kufizuar, edhe për shkak të përgatitjes fizike dhe trajnimeve të pamjaftueshme që ofrohen në Akademinë e Sigurisë. DPPSH nuk ka respektuar afatin ligjor të përcaktuar në Urdhrin nr. 17, datë 10.01.2024, për lëshimin e vërtetimit të besueshmërisë, Për këto arsye, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e varësisë nga njëra anë, sikurse dhe Ministria e Brendshme me institucionet e saj të varësisë, nga ana tjetër, duhet të inkurajojnë një qasje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për të garantuar siguri në shkolla, duke ndërmarrë hapa në përmirësim të kuadrit rregullator, si dhe duke nxitur bashkëpunimin, monitorimin, raportimin dhe koordinimin, në mes të aktorëve të përfshirë në procesin, i cili ka si objektiv sigurinë në shkollat e vendit.
Siguria në shkolla përgjatë periudhës shtator 2021 – dhjetor 2024, ka rezultuar një proces jo efektiv, si rezultat i mangësive të kuadrit rregullator, mos ushtrimit siç duhet i rolit të oficerëve të sigurisë, e mungesës së monitorimit të tyre, si dhe mos koordinimit të institucioneve pjesë e këtij procesi.
Kuadri rregullator, nuk ka përcaktuar rregulla të qarta sa i përket, mbledhjes, përpunimit dhe analizimit të të dhënave mbi incidentet në shkolla.
Aktiviteti i ushtruar nga oficerët e sigurisë, nuk u përgjigjet nevojave të shkollës, sepse nuk përdoren “instrumente matës” për të njohur këto nevoja dhe nuk ushtrohen kontrolle fizike të nxënësve ose mjediseve të shkollave. Raportimi zyrtar midis aktorëve pjesë e këtij procesi ka mangësi të theksuara duke rezultuar i pa saktë e i pa plotë. Mos mbulimi i të gjitha shkollave me oficerë sigurie ka cënuar gjithashtu sigurinë në shkolla.
Koordinimi dhe bashkëpunimi midis Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar dhe Akademisë së Sigurisë, nuk është në nivele të duhura. Oficerët e sigurisë në shkolla nuk monitorohen, as nga drejtuesit e IAP-ve dhe, as nga strukturat përkatëse të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, Drejtoritë Rajonale dhe Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar. Pavarësisht problematikave të konstatuara mbi sigurinë në shkolla, inkurajohet ndjekja dhe zbatimi e rekomandimeve të lëna në këtë auditim, me qëllim përmirësimin e situatës në tërësi.
Për të bërë një vlerësim krahasimor midis realitetit të sigurisë në shkollat shqiptare dhe atyre të vendeve të tjera të botës, u ndalëm tek të dhënat e vëna në dispozicion nga Raporti i UNESCO “Pas shifrave: Fund dhunës në shkolla dhe bullizmit”45, publikuar në janar 2019.
Në këtë raport, bullizmi është kategorizuar në tre forma kryesore: dhunë fizike, dhunë psikologjike/përjashtimet sociale dhe dhunë seksuale dhe “qëllimi i këtij raporti ka qenë të paraqesë një sintezë dhe analizë të re të provave të disponueshme mbi dhunën dhe bullizmin në shkollë, bazuar në të dhënat më të fundit dhe më gjithëpërfshirëse.”
Sipas këtij raporti, rezulton se në Shqipëri, përqindja e nxënësve të raportuar se janë dhunuar, rezulton të jetë 19,9%, prej të cilëve, 22,6% djem dhe 17,3% vajza. Shifrat janë më të larta tek 11 vjeçarët, ku sipas raportit 23,8% kanë pranuar se kanë përjetuar bullizmin, apo dhunën në shkollë, në një nga format e tij, ndërsa tek 13 vjeçarët ky fenomen prek 20% të tyre. Tek nxënësit e moshës 15 vjeç përqindja e nxënësve të dhunuar është 16,1%. Gjithnjë, sipas këtij Raporti, Evropa është ndër rajonet me përqindjen më të ulët të nxënësve që kanë përjetuar dhunë në shkolla, që arrin një nivel prej 25%. Ndërkaq, në Amerikën e Veriut, përqindja e nxënësve që kanë përjetuar bullizëm (në tre format sipas kategorizimit të raportit) është rreth 31,7%. /Pamfleti















