Bota Opinion

Koment – Procesi i Astanës dhe operacioni i Turqisë ndaj Afrinit

Autor: Can ACUN

Gjatë procesit të Astanës, i cili po zhvillohet nën mbikëqyrjen e Turqisë, Rusisë dhe Iranit si vende garantuese, u hodhën hapat e rëndësishme në drejtim të uljes së tensionimit në Siri. Procesi i Astanës është hapi më i rëndësishëm i hedhur në emër të paqes për ndalimin e luftimeve në Siri, të cilat mbushën 6 vjet. Me anë të marrëveshjes së arritur mes këtyre tre vendeve, shumica e territoreve të Sirisë u shpallën si zona jokonfliktuale, gjithashtu u arrit në marrëveshje për organizimin e Kongresit të Pajtimit Kombëtar që do të mbahet në Soçi të Rusisë mes të gjitha grupeve etnike dhe sektare. Mirëpo luftimet e fundit që u jetuan në zonën jokonfliktuale në Idlib të Sirisë, vënë në pozitë të vështirë procesin e Astanës.

Është parë se regjimi i Esadit dhe milicët përkrahës të tij, me përkrahje nga ajri nga ana e Rusisë kanë vënë në dorë një numër të madh të vendbanimeve të Idlibit. Avancimi i milicëve të regjimit në drejtim të aeroportit Ebu Zuhur është ndaluar pjesërisht me kundërsulme të opozitarëve. Ministria e Jashtme e Turqisë bëri të ditur se operacioni i Idlibit paraqet shkelje të marrëveshjes së zonave jokonfliktuale.

Turqia nga Rusia kërkon të bëjë presion ndaj regjimit të Esadit për të ndalur operacionet. Në këtë kontekst edhe kundërsulmet e grupeve opozitare në Idlib të mbështetura nga Turqia mund të cilësohen si paralajmërim ndaj Rusisë dhe regjimit të Esadit.

Deklaratat e bëra nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan ditëve të fundit në lidhje me Afrinin shtuan edhe pritshmëritë për një operacion të mundshëm ndaj këtij vendi. Ndërkohë që Presidenti Erdogan deklaroi se operacionet ndaj Afrinit dhe Menbixhit mund të fillojnë në çdo çast, ai gjithashtu tha se “Në dhashtë Zoti nesër ose pasnesër, brenda një kohe të shkurtë do të shpërbëjmë një e nga një vendet e terroristëve në Siri duke filluar nga Afrini dhe Menbixhi”. Në vijim Erdogan shtoi se deklarata e zëdhënësit të grupit të armatosur opozitar Feylak-u Sham se 20 mijë pjesëtarë të Ushtrisë së Lirë Siriane janë të gatshëm për operacionin e Afrinit është shumë e rëndësishme. Kreu i shtetit turk gjithashtu bëri paralajmërime duke thënë: “Mos qëndroni mes nesh dhe terroristëve, mos ndërhyni mes vrasësve dhe nesh. Në të kundërtën ne nuk do të jemi përgjegjës për ngjarjet e padëshirueshme që do të mund të dalin. Do të ishte më mirë që ju ti ulni vetë flamujt e juaj në bazat e terroristëve që mos të detyrohemi të ua dorëzojmë ne. Hiqni shenjat e juaja nga uniformat e terroristëve që mos të detyrohemi për ti varrosur edhe ato së bashku me terroristët”. Këto deklarata ishin shprehje të forta për të treguar vendosmërinë e Turqisë.

Sipas deklaratave të fundit të bëra nga ShBA-ja, në zonat e kontrolluara nga YPG-ja planifikohet formimi i një ushtrie prej 30 mijë pjesëtarëve. Kjo nismë e quajtur “Forcat e Sigurisë Kufitare”, vë në pah se ShBA-ja hoqi dorë nga tërësia territoriale e Sirisë dhe se planifikon të vazhdojë angazhimin e saj me YPG-në edhe pas DAESH-it. Kështu Turqia, Rusia, Irani, opozitarët sirianë dhe regjimi i Esadit reaguan ashpër ndaj planit të ShBA-së për formimin e kësaj ushtrie.

Ideja kryesore e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, si vendet garantuese të procesit të Astanës, është ruajtja e tërësisë territoriale të Sirisë. Në këtë mënyrë plani i ShBA-së për formimin e një ushtrie të re që do të përbëhet nga YPG-ja e që do të dislokohet në kufirin me Turqinë, Sirinë dhe Irakun është një qasje e kundërt me procesin e Astanës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat nën petkun e luftës kundër DAESH-it bëjnë përpjekje për të formuar një brez të terrorit në formë të kryer në Siri, vjen duke u vetmuar çdo herë e më shumë në Siri. Vetminë e saj ShBA-ja përpiqet për ta plotësuar me vendet e Gjirit Persik si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli.

Dihet se militantët e YPG-së në Afrin kanë kontakte më të afërta me Rusinë sesa me ShBA-në dhe se në këtë zonë ndodhen edhe bazat ushtarake ruse. Kundër operacioneve të mundshme ndaj Afrinit militantët e YPG-së më shumë mbrohen nga Rusia sesa nga Shtetet e Bashkura të Amerikës. Pas deklaratave të Presidentit Recep Tayyip Erdogan nga Rusia erdhën reagime të moderuara në nivel të retorikave. Ndërsa zëdhënësi i Pentagonit në përgjigje të një pyetjeje të gazetarëve ka thënë se zona e Afrinit nuk përfshihet në fushën e veprimit të ShBA-së.

Pritet që Turqia së bashku me forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane të ndërmarrë një operacion të përbashkët ndaj zonës së Afrinit. Mirëpo thellësia e operacionit të Afrinit ende nuk dihet, por sipas të gjitha gjasave pas çlirimit të rrethinës së Afrinit, YPG-ja do të merret nën rrethim. Edhe pse rrethina e Afrinit kontrollohet nga YPG-ja, shumicën e banorëve të këtyre zonave e përbëjnë arabët. Banorët e këtyre zonave janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të dyndjes së YPG-së dhe jetojnë në kampet që ndodhen në kufi me Turqinë. Banorët vendorë të strehuar në këto kampe, nga Turqia dhe Ushtria e Lirë Siriane një kohë të gjatë kërkojnë çlirimin e vendbanimeve përreth Afrinit nga YPG-ja.

Në përgjithësi para nesh ndodhet një proces dinamik në Siri. Procesi i Astanës është duke vazhduar krahas të gjitha vështirësive. Duket se vendet garantuese krahas shkeljeve të regjimit të Esadit janë të vendosura për të vazhduar me proces dhe për të siguruar ndërtimin e besimit reciprok mes palëve. Në anën tjetër Rusia, Turqia, Irani, opozitarët sirianë dhe regjimi i Esadit reaguan ashpër ndaj nismës së ShBA-së për të formuar një ushtri nëpërmjet YPG-së. Në bazë të deklaratave të Presidentit Recep Tayyip Erdogan operacioni i Turqisë ndaj Afrinit mund të fillojë në çdo çast./ trt