Bota

Komenti i MPJ-së ruse lidhur me obligimet për moszgjerimin e NATO-s

Komenti i zëdhënëses së MPJ-së ruse Maria Zaharova lidhur me publikimin në SHBA të materialeve arkivore që kanë të bëjnë, ndër të tjera, me obligimet për moszgjerimin e NATO-s drejt lindjes

Moskë, 12 janar 2018

 

“Vitet e fundit kemi parë veprime aktive të Aleancës për zgjerimin e saj agresiv drejt lindjes, ndërkohë që veprime të tilla justifikohen me njëfarë “kërcënimi rus”. Për fat të keq, e kemi provuar më se një herë që fjalët e kolegëve tanë perëndimorë shpeshherë nuk përputhen me veprat, me realitetin, shpeshherë injorohen totalisht edhe faktet dhe dakordësitë historike.

Në dhjetor të vitit të kaluar në faqen e Arkivit të Sigurisë Kombëtare (organizatë joqeveritare pranë Univesitetit George Washington në SHBA) janë publikuar dokumentet[*] që kanë të bëjnë me bisedimet për bashkimin e Gjermanisë në vitin 1990. Ato pasqyrojnë shumë qartë obligimet e Perëndimit për të mos shtyrë NATO-n drejt lindjes. Në kopjet e fjalimeve publike, materialeve të Fondacionit “Gorbaçov”, të kabllogrameve, letrave dhe stenogrameve të bisedave, të cilat janë deklasifikuar zyrtarisht nga Departamenti i Shtetit dhe ministritë e jashtme të vendeve të tjera, flitet qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë tërthorazi për obligimet e liderëve të vendeve kryesore të Perëndimit për të mos zgjeruar Aleancën në drejtim të kufijve të Bashkimit Sovjetik.

Kështu, për shembull, duke mbajtur një fjalim në Tutzing në datën 31 janar 1990, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë Hans-Dietrich Genscher përmendi që “ndryshimet në Evropën lindore dhe bashkimi i Gjermanisë nuk duhet të çojnë në shkeljen e interesave të Bashkimit Sovjetik në fushën e sigurisë”. Që NATO-ja nuk paraqet kërcënim për BRSS-në, Gorbaçovin e siguronin Minisri i Jashtëm i Britanisë së Madhe Douglas Hurd (më 11 prill), Presidenti i Francës Francois Mitterrand gjatë vizitës së tij në Moskë (25 maj), Presidenti i SHBA-ve George Bush në një bisedë telefonike (më 31 maj). Dhe këto janë vetëm disa nga bisedat e zhvilluara.

Shprehja e famshme e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve James Baker “asnjë inç drejt lindjes”, në kuptimin e moszgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, e përmendur gjatë takimit të tij me Mihail Gorbaçov-in më 9 shkurt 1990, është një nga rastet e shumta të një vale të tërë sigurimesh të vazhdueshme në fillim të viteve ‘90 nga ana e liderëve të vendeve perëndimore që pas bashkimit të Gjermanisë Aleanca do të mbetej brenda kufijve të saj.

Të tilla pohime mund të gjejme edhe në bisedat e asaj periudhe të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë Hans-Dietrich Genscher me kreun e DASH-it James Baker dhe me homologun e tij britanik Douglas Hurd. Kjo çështje është trajtuar edhe gjatë takimeve të Mihail Gorbaçov-it dhe Eduard Shevarnadzes me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, si edhe gjatë bisedave të Vladimir Krjuçkov-it (drejtor i KGB-së) me Zv.Këshilltarin e Presidentit amerikan për sigurinë kombëtare Robert Gates.

Të gjitha këto fakte të shumta të dokumentuara që vërtetojnë ekzistencën e dakordësive të mëparshme shkatërrojnë përpjekjet e partnerëve tanë perëndimorë për të mohuar sot për sot atë që është e dukshme. Materialet e publikuara dëshmojnë qartë për shkeljen e rëndë nga ana e Aleancës të “marrëveshjes xhentelmene” me BRSS-në për respektimin e interesave të tij të sigurisë, si edhe të obligimeve të saj për moszgjerimin e NATO-s drejt lindjes. E vetmja pyetje është a kishte xhentelmenë në mes të kolegëve tanë perëndimorë që bënin “marrëveshje xhentelmenësh”?

 

Burim:

http://www.mid.ru/ru/press_service/spokesman/briefings/-/asset_publisher/D2wHaWMCU6Od/content/id/3017813#11

[*] https://nsarchive.gwu.edu/briefing-book/russia-programs/2017-12-12/nato-expansion-what-gorbachev-heard-western-leaders-early