Bota

Koreja e Veriut nuk e ndal programin raketor

Pavarësisht paralajmërimeve të bëra më herët nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, Koreja e Veriut ka kryer dje një tjetër testim të një rakete balistike, duke rrezikuar seriozisht shtimin e sanksioneve.

Raketa e fundit ka përshkuar një distancë prej 500 kilometrash, përpara se të godiste detin e Japonisë. Koreja e Veriut ka testuar sërish një raketë balistike duke rrezikuar seriozisht shtimin e sanksioneve nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Testimet e armëve nga ana e Koresë së Veriut kanë qenë mjaft të shpeshta, por kësaj radhe Pheniani mund të mos shpëtojë pa pasoja, pikërisht për shkak të një paralajmërimi të qartë të bërë nga OKB. Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në javën e shkuar, palët ranë dakord unanimisht që të mbajnë qëndrim ndaj veprimeve agresive të koreano-veriorëve. Për këtë arsye, pritet të shihet nëse do të ketë hapa konkretë për të ndëshkuar testimin e radhës së Koresë së Veriut. Pavarësisht apelit të vazhdueshëm, Pheniani duket se nuk ka ndërmend të ndalë programet e tij për ndërtimin e armëve të shkatërrimit në masë. Me një retorikë agresive janë përgjigjur edhe zyrtarët e Phenianit të cilët nënvizojnë se do të angazhojnë të gjithë potencialin e tyre ushtarak në rast se do të ndihen të kërcënuar. Në një kohë që SHBA i ka shtuar ndjeshëm kërcënimet për agresion ndaj Koresë së Veriut, nuk mund të jetë i papritur shtimi i testeve raketore të Phenianit. Koreano-veriorët kanë kryer deri më tani pesë teste bërthamore, ndërkohë që sfida e tyre e fundit është krijimi i kapaciteteve për largimin e armëve nukleare. Zhvillimet vijnë në një kohë tensionesh, ku Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë qëndrimin për të marrë masa ushtarake me karakter parandalues, nëse diçka e tillë do të jetë e nevojshme. Kohët e fundit, duke parë qëndrimin e patundur të Phenianit, Uashingtoni e ka ulur disi tonin e kërcënimeve ndaj Koresë së Veriut, por duhet thënë se SHBA ia arriti qëllimit që duke shfrytëzuar pretekstin e programit bërthamor dhe raketor të Koresë së Veriut, të dislokojë sistemin antiraketor amerikan THAAD në territorin e Koresë së Jugut duke sfiduar hapur Kinën dhe Rusinë. Ndoshta ky ishte qëllimi kryesor i administratës së Donald Trump, i cili kohët e fundit disa herë kërcënoi për agresion ushtarak Korenë e Veriut. Dislokimi i sistemit antiraketor THAAD forcoi pozitën ushtarake të SHBA në Azinë Juglindore./ PT

OPINIONE