Koronavirusi “shpartallon” buxhetin. Të ardhurat bien 30% në prill, 132 milionë euro më pak për katër mujorin

Prilli duket se ka qenë muaji më i vështrë në ekonomi, ku pothuajse gjithçka ishte e mbyllur, si rrjedhojë e Covid-19, dhe kjo është reflektuar dhe në performancën e të ardhurave buxhetore.

Të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se të ardhurat buxhetore në prill ranë me 30% në raport me të njëjtën peruidhë të një viti më parë, të ndikuara nga të gjitha zërat, ku efektin kryesor e dhanë TVSH-ja, tatim fitimi, taksat nacionale dhe ato të pushtetit vendor.

Për 4-mujorin, të ardhurat janë tkurrur me 11%, të ndikuara nga performance e dobët e marsit dhe sidomos prillit, ndërsa për dy mujorin kishin rezultuar në një terren pozitiv. Në vlerë absolute, për 4-mujorin në buxhet janë mbledhur 16 miliardë lekë më pak, ose 132 milionë euro më pak, 75% e së cilës ka ardhur vetëm nga muaji prill.

Kjo performancë negative do të kërkojë rishikim të buxhetit, pasi ai edhe pas ndryshimit të dytë vijon të ketë një planifikim të ardhurash më të lartë se fakti 2019.

Prilli

Të ardhurat totale në prill ishin 29 miliardë lekë, nga 41 miliardë lekë në prill 2019, me tkurrje 30%.

Nga TVSH-ja, zëri kryesor në buxhet dhe që është një tregues direkt i konsumit, u mblodhën 7.4 miliardë lekë, me një tkurrje prej 34% në raport me prillin 2019, duke ndikuar në një të tretën e rënies totale të të ardhurave.

Tatim fitimi solli në buxhet 1.8 miliardë lekë, me një tkurrje prej 51%. Për shumë biznese pagesat e tatim fitimit u shtynë, si pjesë e paketës mbështetëse ndaj pasojave të Covid-19.

Të ardhurat nga akciza ishin 2.4 miliardë lekë, me tkurrje prej 29% për shkak të rënies së importeve të produkteve të akcizës.

Tatimi mbi të ardhurat personale ra 21%.

Më e fortë ishte tkurrja e taksave nacionale e të tjera, me 41%, si rrjedhojë e ndërprerjes së aktivitetit të kompanive të naftës.

Buxheti lokal ka shënuar gjithashtu humbje të mëdha. Të ardhurat nga pushteti vendor ishin 1.6 miliardë lekë, me tkurrje 65%, të ndikuara si nga taksa e pasurisë së paluajtshme, ashtu dhe nga taksat lokale.

Të ardhurat nga fondet special ranë me 8%, në një tregues që po goditet punësimi.

Të vetmet me rritje janë të ardhurat jo tatimore, që u zgjeruan me 17%, si rrjedhojë e pagesave që janë bërë nga institucionet buxhetore.

4-mujori

Për 4-mujorin, në buxhet u mblodhën 133 miliardë lekë, nga 149 miliardë lekë për janar prill 2019, me një tkurrje prej 11%, ose 16 miliardë lekë më pak.

Rënien më të lartë e shënuan TVSH (-4.2 miliardë lekë) tatim fitimi (-4.4 miliardë lekë), pushteti vendor (-3.9 miliardë lekë), tatimi mbi të ardhurat personale (-1.9 miliardë lekë). Më e lehtë ishte rënia e të ardhurave nga fondet special (-0.9 miliardë lekë)./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne