Shqiperia

Koronavirusi ul çmimin e naftës me 5-10 lekë/litër, tregtimi me pakicë i karburanteve bie 85%

Çmimet e karburanteve në pikat e tregtimit me pakicë janë ulur me 5-10 lekë/litër ditët e fundit, duke shënuar reduktimin e dytë brenda pak javësh, dhe duke e çuar uljen në 15-20 lekë për litër.

Tkurrja e kërkesës e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, si dhe ulja e çmimit në bursat botërore u reflektuan edhe në tregun me pakicë vendas.

Përfaqësues të Shoqatës të Hidrokarbureve shprehen se shitjet me pakicë të karburanteve kanë rënë 80 deri në 85%. “Aktualisht po shitet 15% e naftës për shkak të paralizimit të ekonomisë dhe jetës sociale”, sipas tyre.

Rënia e shitjeve është shoqëruar edhe me ulje të çmimit. Sot një litër naftë në pikat e karburantit u tregtua nga 155 deri 163 lekë/litër.

Benzina është shitur deri në 164 lekë/litër. Përfaqësuesit e shoqatës të hidrokarbureve thonë se rënia e çmimit erdhi për shkak të uljes të çmimeve në bursat e huaja.

“Në bursat e huaja çmimi i naftës është ulur rreth 200 dollarë/ton, në vend çmimi ka rënë me 20 lekë për litër”.

Aktorët vendas parashikojnë që të mos ketë ulje tjetër të çmimit, për shkak të kostos të lartë të taksave. “Në vendin tonë në kushte normale 65% të çmimit të naftës e zënë taksat.

Sot që çmimi ka rënë në bursë 90% e çmimit shkojnë për taksa. Ka ulje të lehtë të TVSH-së, për shkak të rënies të çmimit në bursë, por edhe kjo ndikohet nga rritja e lartë e dollarit, kurse pjesa tjetër e kostos të taksave mbetet e pandryshuar”, shprehen përfaqësuesit e Shoqatës të Hidrokarbureve.

Çmimi i naftës në bursë

Nafta e tregjet e huaja po vuan jo vetëm krizën e rënies të kërkesës, por garën e çmimeve mes prodhuesve botërore. Pa nisur kriza e koronavirusit nga Opec po kërkohej arritja e marrëveshjes për uljen e prodhimit. Kërkesa u refuzua nga Rusia, ndërsa Arabia Saudite planifikoi uljen e kostos të prodhimit për fuçi më pak se tregu rus dhe sot janë në ato kufij.

Në tregjet botërore prej fillimit të kësaj jave çmimet e naftës shënuan rënie. Kështu, treguesit referencë për naftën e papërpunuar europiane, Brent, ranë me 1.90 dollarë amerikanë ose me 7.6 për qind dhe u tregtuan me 23.03 dollarë amerikanë për fuçi.
Ndërsa treguesit referencë për naftën e papërpunuar amerikane, WTI, ranë me 1.23 dollarë amerikanë dhe u tregtuan me 20.28 dollarë amerikanë për fuçi.

Indeksi i çmimit të arit ra me 0.4 për qind dhe u tregtua me 1,647 dollarë amerikanë për onz.

/ Monitor

OPINIONE

INTERVISTA