Kosova kërkon të legalizojë armët, bëhet thirrje për dorëzimin dhe legalizimin e tyre

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës sot ka lansuar fushatën për dorëzimin dhe legalizimin e armëve.

Zëvendësministri Izmi Zeka tha se legalizimi i armëve është proces i ndjeshëm, por i nevojshëm, ngase sipas tij legalizimi sjellë më shumë siguri.

“Qeveria e Kosovës gjatë 10 vjetëve të fundit ka marrë masa për të siguruar kontrollin e armëve dhe eksplozivët. Kur armët analizohen në kontekst të sigurisë dhe kërcënimeve nacionale, lufta ndaj paligjshmërisë ndaj këtij sektori merr një dimension të ri”.

Ai tha se Institucionet e Kosovës kanë krijuar mekanizma që rregullojnë posedimin, ndjekjen dhe importin e armëve dhe se Agjencia e Forenzikës është e pajisur me sistemin e teknologjisë dhe gjeneron të dhëna inteligjente.

“Tregtia ilegale dhe krimet me armë janë ulur ndjeshëm me vitet e mëparshme. Kosova ka krijuar mekanizma adekuate për luftimin e trafikimit të armëve. Që nga viti 2008 policia ka konfiskuar 14 mijë e 294 armë dhe 10 e 810 armë janë shkatërruar”.

“Me këtë proces synohet të sigurohet mjedis i sigurt, armët do të futen nën kontroll dhe nuk do të paraqesin rrezik. Republika e Kosovës, për herë të parë ka një fushatë të tillë dhe po bëhet për herë të parë legalizimi i armëve. Nuk kanë nevojë të mbeten në sirtarë të fshehura , kanë nevojë të legalizohen dhe qytetarët të jetojnë lirshëm”.

Drejtori i departamentit për Hetime, Riza Shillova, ka shpjeguar dispozitat i këtij ligji dhe afatet kohore për dorëzimin dhe legalizimin e armëve.

“Dispozitat e këtij ligji janë të detyrueshme për të gjitha institucionet e Kosovë dhe për policinë si dhe për të gjithë qytetarët. Afati kohor për legalizimin e armëve do të jetë gjashtë muaj brenda një viti kalendarik. Afati kohorë për dorëzimin e armëve dhe pjesëve të tjera të municionit do të jetë tre muaj brenda dy vjetësh”.

Ai shtoi se me anë të kësaj kampanje synohet të ketë një kontroll dhe një trajtim më të mirë të armëve.

Alessandra Roccasalvo, Përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, tha se kjo organizatë është duke e mbështetur këtë kampanjë financiarisht me disa partner.

“ Situata për armë të vogla, në tërë botën por edhe në Ballkan , posedimi i armëve të vogla po vret jetë dhe kontrolli është diçka që të gjithë e kanë. Dhe, kjo do të ndihmojë që mos të ketë më armë ilegale. UNDP-ja është e përkushtuar për të promovuar konceptin e sigurisë njerëzore. Kosova është e vogël dhe ka një përparësi që ta përmbushë këtë standard. Kemi bërë punë të ngjashme gjatë 10-15 viteve të fundit me MBP-në. Ju lutem armët mos i sillni në UNDP sepse ato nuk e kanë vendin aty, ne vetëm po i ndihmojmë MPB-në dhe policinë”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne