Kosovë – Policia shpall në kërkim dy persona për rastin Ivanoviç

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) është duke hetuar rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit.

Kështu bën të ditur komunikata për media e Policisë së Kosovës, e cila me autorizim të Prokurorisë Speciale, ka publikuar fotografitë e “dy personave të dyshuar për rastin ‘vrasje’ të datës 16 janar 2018 në veri të Mitrovicës”.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për personat e dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor”, bën të ditur njoftimi.

Në fund policia thotë se “publikimi i këtyre fotografive bëhet me qëllim të identifikimit nga ana e qytetarëve, të cilët mund të na ndihmojnë rreth identitetit të këtyre personave të dyshuar”.

Politikani serb Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar të vitit 2018 para zyrës së tij në veri të Mitrovicës. Ivanoviç kishte marrë tre plumba në trup, nga disa të panjohur që qëlluan nga një automjet në lëvizje dhe nuk kishte mundur t’u mbijetonte plagëve. (Agjencia Anadolli-AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne