Kredia e re, nivele rekord! Ekspertët: Shqetësuese është rritja vetëm tek individët

Kredia e re gjatë vitit të kaluar ka arritur rekord. Individët dhe bizneset morën 318 miliardë lekë nga bankat në rritje me 10.7% në krahasim me një vit më parë, pavarësisht se Banka e Shqipërisë rriti normat e interesit. Ndërkohë kredia e ekonomisë, që matet si totali i portofolit në Banka arriti vlerën e 743.7 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 4%. Por, rritja më e fortë ishte tek individët në krahasim me bizneset.

Për ekspertët ky është një fenomen shqetësues. “Për mua është shqetësues fakti i shpërndarjes apo kush e mbizotëron këtë rritje. Shohim që më shumë kemi një rritje në kredinë individuale, pra atë familjare në raport me atë të biznesit. Që shpjegohet më saktë me situatën ekonomike në tërësi, vështirësitë e familjeve për të përballuar konsumin apo shpenzimet utilitare të tyre për shkak të gjithë situatës makro në tërësi“-shprehet Igli Tola.

Shtimi i qarkullimit të parave në ekonomi mund të sjellë ndikime negative në inflacion. “Kjo frymëmarrje e kreditimit si për bizneset dhe individët, si në raport me konsumin, por dhe investimet nga ana tjetër do sjellë më shumë aktivitet ekonomik, që do përkthehet edhe në një stimulim të inflacionit.”

Ekspertët mendojnë se vitit 2024 mund të ketë edhe një rritje tjetër të normës së interesit të lekut që do të ndikonte në mënyrë direkte tek të gjitha kredite. “Janë më të kursyer le të themi në raport me 18 mujorëshin që kaluam për shkak edhe të stabilizimit të situatës së tregjeve në tërësi, pro nuk e shoh të pamundur që gjatë këtij viti të shkohet drejt ndryshimit të normës së interesit me të paktën njëherë, por nuk besoj se do të jetë e njëjta situatë me vitin e kaluar, kur rritja ishte graduale dhe e herëpashershme.”, thotë Tola. Në mbledhjen e fundit, BSH vendosi të mos rrisë normat e interesit duke i mbajtur ato të fiksuara në 3.25%, një nga nivelet më të ulëta në Evropë dhe në rajon./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne