Kreditë me probleme rriten lehtë në prill, për të dytin muaj radhazi

Huatë që nuk kthehen në afat në banka shënuan një rritje të lehtë në prill për të dytin muaj radhazi, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në prill, ky tregues arriti në 8.28%, nga 8.18% që ishin në shkurt, kur huatë e pakthyera kishin arritur në nivelin më të ulët në 11 vjet.

Rritja e këtij treguesi reflekton mosshlyerjen e huave deri në janar (bankat i raportojnë kreditë si problematike kur ato nuk shlyhen prej më shumë se tre muaj), ndërsa efektet e Covid-19 në këtë tregues nuk kanë nisur të reflektohen akoma.

Rritja e këtij treguesi është e moderuar për shkak të procesit të ristrukturimit të huasë, që filloi pas një vendimi të Bankës së Shqipërisë, që ka lehtësuar kërkesat rregullatore mbi riskedulimin e kredisë dhe ka inkurajuar bankat të ofrojnë shtyrje të pagesës së këstit të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme.

Vendimi ishte fillimisht për tre muaj, për periudhën mars-maj dhe më pas është shtyrë edhe për tre muaj të tjerë, qershor-gusht.

Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se për shtyrjen e parë tre mujorë janë ristrukturuar kredi me një vlerë totale prej rreth 2 miliardë euro, ose gati gjysmën e stokut të huasë të dhënë nga bankat.

Kreditë e shtyra nuk përllogariten si problematike dhe vetëm në shtator do të reflektohet i qartë efekti që ka pasur pandemia në huatë me probleme.

Guvernatori Sejko, në daljen e fundit publike paralajmëroi se mund të ketë një rritje të moskthyeshmërisë së huave në banka.

“Masat e kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë ndikuan në rënien e konsumit, investimeve dhe eksporteve të mallrave dhe shërbimeve; pritet një rënie e nivelit të punësimit dhe rritje e papunësisë në vend, duke shkaktuar rënien e të ardhurave familjare dhe përkeqësimin e situatës financiare të biznesit, çka mund të sjellë dhe rritje të nivelit të kredive me probleme në sektorin bankar”, pohoi ai.

/Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne