Krerët e institucioneve fetare të rajonit të Ballkanit urojnë festën e Bajramit

Krerët e institucioneve fetare të Maqedonisë dhe Kosovës kanë përcjellë mesazhet e tyre me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke uruar besimtarët muslimanë dhe duke u bërë thirrje për shtrirje të dorës dhe për të treguar humanitet.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, në mesazhin e tij të urimit thotë se Kurban Bajrami është festë në të cilën fuqishëm përçohet mesazhi për bujarinë dhe mëshirën e Krijuesit tonë, çast nga rrëfimi i shenjtë që flet për dashurinë e madhe të Zotit Fuqiplotë që ka ndaj krijesave të veta.

“Dija, përkushtimi ndaj urdhërave të Krijuesit Absolut dhe flijimi në emër të Tij, janë tri shtigje që gjithmonë na nxjerrin në Rrugën e Dritës. Përmes diturisë ne mund ta përjetojmë krenarinë e Zotit që ka për krijesat e veta, përmes namazit, lutjeve, ibadeteve, arrijmë që ta përjetojmë kënaqësinë e Allahut tonë, kurse përmes kurbanit, përmes sakrificës e flijimit arrijmë që ta përjetojmë gëzimin dhe dashurinë e Tij”, shprehet Rexhepi.

Ai shton se urimet në këtë festë patjetër që duhet të shoqërohen me vizita e me pajtime.

Ndërsa, Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, thekson se nëse simbolikisht festa e Fitër Bajramit lidhet me shpalljen e Kur’anit, atëherë festa e Kurban Bajramit lidhet me përmbylljen e kësaj shpallje, në të cilën sipas tij fshihet edhe sekreti i madhështisë dhe fuqisë së kësaj feje.

“Shpallja e saj ka filluar dhe është përmbyllur drejtpërdrejt nga Allahu. Rëndësia e këtij fakti në kohën tonë, kur ka tendenca të keqinterpretimit të fesë, është e madhe. Islami është jo ajo çfarë thonë a interpretojnë gabimisht njerëzit. Ndaj, konsiderojmë se në këtë festë, ne kemi mundësi të mësojmë për Islamin prej Islamit dhe këtë duke shpalosur disa prej vlerave dhe mësimeve universale të tij”, thotë Tërnava në mesazhin e urimit për festën e Kurban Bajramit.

Tërnava në mesazhin e tij apelon te ata që kanë mundësi materiale të therin kurban që të gëzojnë të varfrit dhe familjet e tyre.

“Nga këtu gjaku dhe mishi i kurbanit nuk janë gjëra me të cilat afrohemi tek Zoti i Mëshirshëm, por janë qëllimet dhe gatishmëria për të qenë pranë njëri tjetrit”, shprehet ai.

Simboli i festës së Kurban Bajramit është prerja e kurbanit, në përputhjeve me rregullat islame. Mishi i kurbanit u ndahet të varfërve, fqinjëve dhe familjes.

Rituali i kësaj feste fillon me faljen e namazit të Bajramit herët në xhami, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke përfunduar me vizitat tek të afërmit, fqinjët, shokët dhe miqtë. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne