Krimi i opozitës që po vret protestën e studentëve

Enton Abilekaj

Kur sheh burra në moshë të mesme, profesionistë sheshesh e bulevardesh, që mbajnë ndonjë flamur a pankartë në dorë, marrin edhe megafonin herepashere, madje, pa iu dridhur as zëri e as qerpiku, u kërkojnë studentëve të bashkohen me ta, kupton që protesta është kapur për fyti. Sheshin e protestës e kanë zënë stoikët e partive që dikur zinin vendet në administratë, tokat e të pambrojturve, të ardhmen e të rinjve të talentuar që kishin zgjedhur diplomën e shkëlqyer përpara teserave të partive. Qëllimi i protestës është banalizuar në shpresën e grupimeve të dëshpëruara partike që të rimarrin fatin e studentëve në dorë, e ta telendisin si mall pa zot nëpër biznese private që shesin diploma. Ata pak njerëz që nuk bëhen dot shumë, ai pellg i vogël që nuk bëhet dot lumë. Me gjithë përrenjtë e mitingashëve me 28 vjet eksperiencë që derdhen përpara Kryeministrisë, është koncentrimi në bulevard i pellgut që po mbyt Shqipërinë. I vetmi produkt që mund të dalë që aty, janë ngjalat e moçalit, që janë lidhur aq shumë me njëra tjetrën, sa nuk ndahen dot më.

Jo vetëm në Bulevard. Të njëjtën gjë bënë edhe në unazën e re. Sa ndjenë erën e protestës, u turrën ta kapin për fyti, ta vërvisin, ashtu të kapur, për interesin e tyre. Kujdesen që, ndërsa shtëpitë prishen një nga një, të shpërndahen pamjet dhe mbi gërmadhat e tyre të ngrenë pyetjen: A do votoni prapë për Edi Ramën? Sikur nuk ishin ata që u kishin premtuar, me zë dhe figurë se nuk do lejonin të prishej asnjë shtëpi. Ashtu siç premtuan në Kukës, që nuk do vendosej kurrë kufiri ndarës mbi rrugën e Kombit. E kapën për fyti dhe e çuan protestën të mbytur në prehërin e koncensionarit.

Është e pabesueshme që të jetë vetë opozita që, pasi i kap për fyti protestat, i mbyt në heshtje.

Megjithatë e shpjegueshme.

Opozita si pjesë e sistemit politik të diskretituar, ka të njëjtën frikë si Rilindja. Kuksianët e pakontrolluar, që dogjën traun e tarifës së biznesit të Ramës dhe ortakëve të tij, u bënë frymëzim për shqiptarët në të dyja anët e traut me pagesë dhe kufirit pa pagesë, se mund të bëhet më mirë pas partitë. Duke sfiduar opozitën e tredhur, kuksianët dhanë mesazhin se tigri prej letre, që ka ndërtuar ky sistem mund të digjet me një shkëndijë. Një ditë më pas, të kapur në befasi nga dhuna dhe bastisjet e grabitësve në pushtet, u detyruan të pranonin mbështetjen e opozitës, në mirëbesim, pa e ditur se pabesia ishte e dyanshme, se të dyja palët janë të njëjtët shërbëtorë të parasë së paligjshme. Sistemi e mundi protestën.

Kështu po ndodh edhe me Unazën e Re. E panë veten bashkë rastësisht kur dolën nga dera për të mbrojtur shtëpitë. U detyruan të pranonin opozitën kur grabitësit me pushtet përdorën dhunën. Tani shtëpitë po prishen një nga një. Po të mos ishte zbuluar megaskandali i grabistjes me dokumenta fals, shtëpitë e tyre sot do të ishin kantier ndërtimi. Ashtu si shtëpia e Bajram Nelës, që u prish me karshillikun e opozitës në një krah dhe me frikën e fqinjëve në krahun tjetër.

Kështu edhe sot, 11 ditë pasi lumi i studentëve vërshoi papritur, mbi shkretëtirën e shpresës së vrarë dhe nervit të vdekur nga bashkëpunimi i partive.

Asnjë forcë politike, asnjë organizatë apo lëvizje nuk mund të mblidhte aq shumë njerëz të kulturuar dhe emancipuar, prandaj solli shpresë, besim dhe freski në gjtihë rrugët e Tiranës dhe auditorët e vendit.

Me gjithë praninë e kamerave, militantët e infiltruar nuk druheshin të sulmonin organizatat studentore, të rrëmbenin megafonët për të shpërndarë mesazhet e zyrave të partisë. Megjithatë nuk arritën ta prishin festën. Deri sot, kur, me ndihmën e presionit të qeverisë, me ndihmën e varfërisë ku i ka zhytur Edi Rama me ortakët e diplomave private, studentët ikën, protesta u pushtua.

Në marsin e 1991, Ramiz Alia mbylli universitetet, studentët u shpërndanë, një pjesë për të mos u kthyer më në Shqipëri. Skena u mbeti partive deri sot. Pothuajse 28 vjet më vonë, janë gati të bëjnë të njëjtën gjë me metoda të tjera.

Edi Rama ka të njëjtën dëshirë me Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin që aty përballë të jetë opozita partiake në vend të studentëve, që lufta të mbetet brenda sistemit, të kontrollohet nga sistemi. Të gjithë bashkë duan që pala e re, që mund t’i mundë të gjithë bashkë, pa dallim të mos kompaktësohet, që lumi që po i derdh në det, të gjithë bashkë pa dallim, të devijohet në mocalin e përbashkët. Prandaj kanë zënë grykëderdhjen si mbetje që janë ngurtësuar 28 vjet dhe qelbin ambientin.

Të hënën radhën e kanë studentët./ lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne