Kriza e identitetit të BE-së po kërcënon paqen në Ballkan, Shqipëria etnike jo vetëm një skenar

nga Timothy Less.

Është e vërtetë se Evropa është në krizë. Autoriteti i saj qendror, Bashkimi Europian, ka tejkaluar kompetencat e tij me vendosmërinë për të unifikuar kontinentin, duke u futur thellë në çështjet e sovranitetit të kombeve të tij të lashtë.

Si përfundim, reagimet kanë qenë tronditëse: trazira civile, fuqizimi i partive ektremiste, braktisja e marrëveshjes së Shengenit, ndarja në Mesdhe dhe vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për të lënë unionin.

Megjithatë, kriza nuk është e izoluar vetëm në Bashkimin Europian. Po ashtu ndihet në oborrin e saj ballkanik, ku shpresat për t’u bashkuar me unionin kanë përfunduar në mënyrë efektive.

Në fillim të dekadës së fundit, BE u angazhua për integrimin e Ballkanit. Jo vetëm si një dëshirë e popujve, por integrimi ofroi çelësin për stabilitetin në një rajon ku konfliktet për kufijtë kanë shkaktuar katër luftëra në vitet 1990. Rajoni u qetësua kur beri tranzicionin në demokraci dhe në ekonominë e tregut të lirë, duke pasur një ndjesi se sapo Ballkani të bëhej pjesë e unionit, kufijtë e kontestuar do të bëheshin të parëndësishëm.

Ky ishte plani i dikurshëm. Por këtë verë liderët europianë, të udhëhequr nga Franca, imponuan një moratorium për çdo zgjerim të mëtejshëm të BE-së, në pritje të rregullimit të problemeve të saj të brendshme mbi të gjitha. Pasi një eurozonë me probleme serioze, mund të shpërbëhet kur të godet nga recesioni i ardhshëm.

Pa asnjë perspektivë në këtë aspekt, realiteti me të cilin përballet Ballkani është se anëtarësimi i tij në BE është në pritje të përhershme. Kjo në mënyrë të pashmangshme do të ketë pasoja, mbi të gjitha në Serbi, shtetin më të madh dhe më të fuqishëm të rajonit dhe një që deri tani ka vendosur anëtarësimin në BE si prioritet për të ringjallur politikën dhe ekonominë e vendit.

Një pengesë e madhe për Kosovën. Në vitet e fundit, presidenti pro-evropian i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka lënë pas nacionalizmin e ashpër të qeverive të mëparshme. Ai ka mohuar Republikën Srpska të Bosnjës dhe ka ofruar të njohë Kosovën, e cila u largua në mënyrë të njëanshme nga Serbia në vitin 1999. Në këmbim, ai shpreson të blejë vullnetin e mirë të evropianëve dhe të hapë derën për në BE.

Por, tani që zgjerimi i unionit është ndalur, llogaritjet do të ndryshojnë. Serbia nuk ka më nxitje për të arritur një marrëveshje me Kosovën nëse përfitimi kryesor i saj, ai i anëtarësimit në BE, “nuk është më në tryezë”. As nuk ka një arsye bindëse për të refuzuar dëshirën e shprehur të serbëve të Bosnjës për t’u bashkuar me atdheun e tyre.

Rreziku është se udhëheqësit e Serbisë do të ringjallin çështjet kombëtare të pazgjidhura që nga vitet ’90. Tashmë, vendi po përjeton një reagim të ashpër kundër politikës së Vuçiqit në Kosovë. Me opozitën e lumtur për të shfrytëzuar këtë reagim dhe Vuçiç nën presionin për të zhvendosur pozicionin e tij, politika serbe po lëviz përsëri në të djathtë.

Një vazhdim i këtij kursi do të krijonte një mundësi të re për serbët e Bosnjës, të cilët në një moment mund të vendosnin të shprehin dëshirën për pavarësi, duke u bashkuar me Serbinë. Nëse do ta bënin këtë, popullsia kroate e Bosnjës nuk do të ishte shumë prapa.

Një ringjallje e nacionalizmit mund ta shohë Serbinë të aneksojë veriun e Kosovës, popullata serbe e të cilit i ka sytë nga Beogradi për më shumë siguri, nga shumica shqiptare e pakënaqur e Kosovës.

Kjo do të kishte pasoja të mëtejshme. Të demoralizuar nga Serbia, shqiptarët e Kosovës do të afroheshin më pranë Shqipërisë për siguri. Të dy vendet mund edhe të bashkohen, siç liderët e tyre përkatës kanë premtuar në mënyrë të përsëritur, nëse nuk do të ketë zgjerim të Bashkimit Europian. Kjo, nga ana tjetër, do të krijonte një mundësi të re gjeopolitike për pakicën e pakënaqur të Maqedonisë, e cila do të përpiqej të bashkohej me këtë shtet të zgjeruar shqiptar.

Nëse një skenar i tillë do të zbatohej, rezultati do të ishte shfaqja e tre shteteve kombëtare: Serbia, Shqipëria dhe Kroacia, ku secila do të përfshinte pothuajse të gjitha komunitetet e tyre kombëtare në rajon.

Por, shumë çështje do të mbeteshin të paparashikueshme nga ky skenar. Sa i dhunshëm do të ishte një proces i tillë riorganizimi? Çfarë do të ndodhte me Bosnjën dhe Maqedoninë, nëse minoritetet e tyre do të ndahen? A munden të tjerët, siç është SHBA-ja, të mbushin vakumin e krijuar nga evropianët dhe të stabilizojnë rajonin?

Për fat të keq, me evropianët të preokupuar nga problemet brenda shtëpisë së tyre, ka pak vullnet ose aftësi për të menduar shumë për potencialin e konfliktit në Ballkan. Në vend të kësaj, qëllimi i BE-së është të vazhdojë me synimin e integrimit, të paktën në terma formalë, edhe pse politikanët e saj më të fuqishëm e hedhin poshtë publikisht këtë qëllim.

Nëse BE nuk mund të rivendosë stabilitetin e saj dhe të ringjallë politikën e zgjerimit, kriza e saj e brendshme e vazhdueshme, do të ketë pasoja të rrezikshme në rajonin më të brishtë të Evropës./EconoTimes

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne