Kriza në Onkologji: Sistemi Shëndetësor është në kolaps, nuk ka ilaçe për gratë me kancer zonja shkencëtare

Mungesa e barnave onkologjike, vonesat dhe borxhet spitalore ekspozojnë kolapsin e shëndetësisë shqiptare, ndërsa qeveria flet për ‘reforma digjitale’…

Në Shqipëri, të sëmurët me kancer të gjirit po përballen me një betejë të dyfishtë: jo vetëm me sëmundjen, por edhe me shtetin e tyre. Një investigim i sotëm i Balkan Insight ka tronditur opinionin publik ndërkombëtar duke ekspozuar një realitet të hidhur, mungesat kronike të barnave onkologjike, vonesat në trajtim dhe detyrimin e pacienteve për t’u drejtuar te spitalet private, shpesh duke marrë borxhe për të mbijetuar.

Në një vend që prej vitesh propagandon “reforma në shëndetësi” dhe “sistemin digjital të kujdesit shëndetësor”, tabloja që del nga raporti është një dështim i plotë institucional. Farmacitë spitalore janë bosh, tenderët publikë zvarriten me muaj, furnitorët ndalojnë dërgesat për shkak të borxheve të papaguara, dhe pacientet mbeten viktima të një zinxhiri korrupsioni, paaftësie dhe indiference burokratike. Shumë gra të diagnostikuara me kancer në fazë të avancuar detyrohen të lënë trajtimin në mes ose të shesin pronat për të blerë ilaçet jashtë vendit, një tablo tragjike në një shtet që deklaron se “askush nuk mbetet pas”.

Ky është një dështim moral dhe politik i qeverisë shqiptare, që prej vitesh përdor fjalën “reformë” si mbulesë për degradimin e institucioneve.

Ministria e Shëndetësisë, që duhej të ishte hallka më humane e shtetit, është kthyer në një aparat tenderësh, kontratash dhe propagande, ndërsa spitalet publike janë lënë në mjerim. Nuk është më thjesht mungesë fondesh; është mungesë vullneti, transparence dhe përgjegjshmërie. Dhe mbi të gjitha, mungesë ndjeshmërie njerëzore.

Fakti që një media serioze si Balkan Insight e ka nxjerrë këtë krizë në dritë tregon se problemi nuk është i brendshëm; është bërë tashmë çështje imazhi ndërkombëtar. Shqipëria që synon Bashkimin Europian nuk mund të lejojë që pacientët e saj të trajtohen si statistika, ndërsa qeveritarët shfaqen nëpër konferenca për “shërbim cilësor dhe dixhitalizim”. Kjo është hipokrizi e pastër e një sistemi që i trajton qytetarët si pengje të politikës dhe tenderëve.

Në thelb, çështja e trajtimit të kancerit në Shqipëri është një pasqyrë e mënyrës se si funksionon shteti: mungesë llogaridhënieje, centralizim pushteti, administratë e kapur, dhe shërbime publike që ekzistojnë vetëm në letër. Gratë që sot presin ilaçet e tyre në korridoret e spitaleve janë viktimat e një shteti që di të justifikohet, por jo të kujdeset. Dhe çdo vonesë e një doze është një ditë më pak jetë për to.

Në vend që të reagonte me transparencë, qeveria hesht ose mohon. Heshtin institucionet, hesht Ministria e Shëndetësisë, hesht edhe opozita që është zhytur në luftë për karrige. Ndërkohë, shqiptarët shohin se çdo ditë që kalon, një tjetër histori dhimbjeje shtohet në listën e pafund të atyre që sistemi i la pas.

Ky artikull i Balkan Insight duhet të lexohet si një akt akuze ndaj qeverisjes shqiptare në fushën më të ndjeshme të mundshme; kujdesit për jetën. Nuk ka më vend për arsyetime teknike apo fjalime boshe. Shqipëria e vitit 2025 nuk mund të jetë vendi ku gratë luftojnë për të gjetur ilaçin që shteti u detyrohet me ligj. Është koha që përgjegjësit të dalin para publikut, të japin llogari dhe të pranojnë se, pas gjithë propagandës për “shtet modern”, sistemi shëndetësor shqiptar është në kolaps.

Sepse në fund, kjo nuk është thjesht histori për barnat që mungojnë; është histori për jetët që po humbasin çdo ditë, në heshtje./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne