Shqiperia

Kriza politike/ Mesazhi i Romës për Ramën: Bëj një hap për dialogun, është përgjegjësi e mazhorancës

Italian and Albanian summit with prime ministers Enrico Letta and Edi Rama, Rome, Italy, 12/12/13

Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo ka kërkuar nga mazhoranca socialiste që të bëjë një hap për t’u ulur në dialog me opozitën dhe t’i japin zgjidhje krizës politike. Në një prononcim për gazetarët, ambasadori italian theksoi se është përgjegjësi e qeverisë dhe mazhorancës për t’i dhënë zgjidhje krizës.

“Mesazhi im për politikanët është i dyfishtë, mbi të gjitha, realizimi i protestave është një e drejtë, por e rëndësishme është që të mos dhunojnë institucionet. Mesazhi i dytë përfshin të gjitha forcat politike, por pak më shumë mazhorancën që të bëjë një hap për dialogun, pasi është përgjegjësia e tyre për atë që ndodh në vend”, u shpreh Cutillo.

Që të nisësh dialogun nuk do të thotë të pranosh kushtet e vendosura nga opozita, tha ambasadori Cutillo, por të trajtosh problemet që ka ngritur opozita për blerjen e votave dhe korrupsionin, çka është në interes të vendit.

Ai paralajmëroi se kriza politike ndikon negativisht te investitorët e huaj dhe mund të ketë pasoja për procesin integrues të Shqipërisë.

“Sigurisht që kriza politike po vihet në pikëpyetje në të gjithë Evropën. Pikëpyetja e parë është për vendimin e opozitës për të braktisur Parlamentin, sepse është vendim i paprecedent dhe na ka habitur të gjithë. Një tjetër element është edhe organizimi i protestave dhe do të doja të përmendja vetëm një fakt, ky ‘work shop’ ishte planifikuar të zhvillohej një muaj më parë, por data përkonte me protestën, prandaj shumë prej investitorëve preferuan të mos merrnin pjesë”, deklaroi ambasadori.

OPINIONE