Kryeparlamentari i Kosovës uron komunitetin rom: Jeni ndër pasuritë kryesore që ka shteti ynë

Kryeparlamentari Kadri Veseli, uroi të gjithë qytetarët e komunitetit rom në Kosovë për ditën e tyre, për të cilët tha se “janë një ndër pasuritë kryesore që ka shteti ynë”.

Veseli me rastin e 8 prillit – Ditës së romëve në Kosovë, priti një grup përfaqësuesish të këtij komuniteti, të drejtuar nga deputeti Allbert Kinolli.

Ai tha se përcaktimi kushtetues dhe ligjor i të drejtave dhe lirive të komuniteteve pakicë, e vë Kosovën në pozitë të lartë në renditjen botërore, si shtet me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie e religjioni.

Kreu i Kuvendit tha se institucionet do të vazhdojnë angazhimet për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe rritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve të vendit, përderisa vlerësoi lart kontributin e komunitetit rom në avancimin e proceseve demokratike në vend.

Përfaqësuesit e komunitetit rom, nga ana e tyre, falënderuan kryeparlamentarin Veseli për angazhimin dhe mbështetjen e tij të parazervë ndaj të gjitha komuniteteve pakicë në Kosovë, përfshirë edhe atë rom.​

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne