Kur letërsia provokon: Reflektimi i Agim Kasemit mbi ‘Jam Mysliman’

Letërsia ka fuqinë të sfidojë mendimet, të provokojë dhe të hapë debate, por kur prek identitetin fetar, kjo sfidë bëhet shumë e ndjeshme. Libri i Ben Blushit “Jam Mysliman” ka shkaktuar reagime të forta në Shqipëri, duke ngjallur pyetje mbi kufirin mes lirisë artistike dhe fyerjes. Në këtë intervistë, shkrimtari Agim Kasemi reflekton mbi mënyrën se si trajtohen shqiptarët myslimanë dhe ndikimin që mund të ketë libri tek të rinjtë. Diskutimi rreh gjithashtu rolin e letërsisë si mjet për të ndërtuar dialog, jo për të ushqyer paragjykime.

A ka të drejtë një autor të provokojë besimtarët përmes letërsisë? Ku është kufiri mes artit dhe fyerjes?

Letërsia ka lirinë të prekë tema të ndjeshme, madje edhe të provokojë. Por liria artistike nuk është e njëjtë me të drejtën për të tallur apo poshtëruar një komunitet të caktuar.
Kufiri brenda artit kalon aty ku autori nuk kërkon më të nxisë reflektim, por të ushqejë paragjykime, stereotipe dhe nënçmime kolektive.
Letërsia e madhe sfidon, por nuk fyen. Provokon, por nuk vulos etiketime për një grup njerëzish. Kur personazhet kthehen në karikatura për të denigruar një komunitet fetar, kjo nuk është më art, është propagandë personale e veshur me formë letrare.

A mendoni se “protestat” ndaj këtij libri ishin të justifikuara?

Po, ishin të justifikuara aq sa ishin reagim i vetëmbrojtjes kulturore.
Kur një libër trajton me përçmim një besimtar apo një komunitet të tërë, është krejt natyrale që njerëzit të ndihen të prekur dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre.
Protesta bëhet problem vetëm kur kalon në dhunë, por shprehja publike e indinjatës është një e drejtë demokratike, sidomos në një vend ku komuniteti mysliman historikisht ka qenë i shpesh përjashtuar dhe keqinterpretuar.

3. Pse mendoni se ka kaq reagime të forta sa herë diskutohet identiteti fetar i shqiptarëve?

Sepse identiteti fetar i shqiptarëve është ende një temë e pasqaruar, shpesh e keqpërdorur, dhe për shumë shqiptarë, sidomos myslimanët, është një identitet që ka qenë për dekada nën presion, nga periudha osmane, tek Zogizmi, komunizmi dhe deri në tranzicion.

Çdo diskutim mbi fenë në Shqipëri nuk është vetëm fetar, është historik, politik, social dhe shpesh emocional.
Reagimet e forta vijnë sepse njerëzit kanë ndjenjën se po u cenohet dinjiteti dhe rrëfimi historik. Dhe kjo është krejt e kuptueshme.

Çfarë efekti mund të ketë “Jam Mysliman” tek të rinjtë myslimanë?

Tek të rinjtë mund të ketë dy efekte:

Negativ, sepse krijon një ndjenjë mosbesimi ndaj institucioneve kulturore dhe mediatike, që shpesh përsërisin të njëjtin diskurs përbuzës ndaj tyre.

Pozitiv, nëse ky sulm i paarsyeshëm i shtyn të rinjtë të njohin më mirë identitetin dhe historinë e tyre, dhe t’i qasen besimit me vetëdije dhe jo thjesht emocione.

Në thelb, libri nuk jep ndonjë mendim të thellë, por mund të japë një arsye për reflektim të kundërt: pse disa njerëz vazhdojnë t’i shohin myslimanët si qytetarë të dorës së dytë?

Si mendoni se i trajton autori Blushi shqiptarët myslimanë?

Autori i trajton me stereotipe të përgatitura, me një arrogancë kulturore që i vjen nga një narrativë e vjetër nacionaliste, sipas së cilës myslimanët janë një “devijim” nga identiteti europian i shqiptarëve.
Kjo gjë është historikisht e gabuar dhe shkencërisht e pavlefshme.
Më shumë se sa analizë, libri ngjan si një ligjëratë personale, me tone përjashtuese dhe me një përçmim të pakuptueshëm ndaj një komuniteti që përbën shumicën e kombit.

Ju, çfarë do t’i thoshit Ben Blushit po ta kishit përballë?

Do t’i thosha këtë:

Ben, letërsia është mjet fisnik. Por kur letërsia përdoret për të ulur, për të provokuar qëllimisht dhe për të tallur një komunitet të tërë, atëherë nuk kemi të bëjmë më me krijimtari artistike, por me një egocentrizëm të veshur me fjalë të bukura.
Unë do të doja të shihja nga ti një analizë më të thellë, një përgjegjësi më të madhe, dhe një respekt më të sinqertë ndaj shqiptarëve që nuk të ngjajnë ty, por që janë po aq shqiptarë sa ti.
Shqipëria është e të gjithëve, jo vetëm e atyre që ndërtojnë identitetin e vet duke sulmuar identitetin e tjetrit.
Si shkrimtar ke pushtetin e fjalës. Përdore për të ndërtuar, jo për të ndarë./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne