Kurti: Kosova ka blerë dronë Bayraktar nga Turqia

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Türkiye, transmeton Anadolu.

Kurti nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale, konsideroi se “Kosova tash është edhe më e sigurt”. Ai njoftoi po ashtu se edhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë kryer trajnim për përdorimin e dronëve.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Türkiye! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80 për qind numrin e ushtarëve dhe mbi 100 për qind buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare! Me komandantin e FSK-së gjenerallejtnant, Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, ka shkruar Kurti.

Kurti nuk ka bërë të ditur sa dronë janë blerë dhe as buxhetin e ndarë për ta. Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014. Dronët e tillë, të llojit TB-2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus. Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB-2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron. Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të transforimit në Ushtri.

Aktualisht, FSK-ja ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarët aktivë dhe ata rezervistë.

Blerja e dronëve Bayraktar nga Kosova është diskutuar që nga fundi i vitit të kaluar.

Reputacioni dhe kërkesa ndërkombëtare për Bayraktar TB2 të Türkiye-s dhe Bayraktar Akinci janë rritur në të gjithë Evropën që nga fillimi i luftës në Ukrainë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne