Kurti shkon në Greqi, nuk konfirmon pjesëmarrjen në takimin e nesërm në Tiranë të thirrur nga Rama

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, ende nuk ka një konfirmim nëse do të shkojë në takimin e ftuar nga Edi Rama në Tiranë

Zyra e Kurtit njoftoi se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti nga sot po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar. Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit.

Ky edicion i sivjetëm titullohet “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus” (Which World in 2030? Addressing the Icarus Syndrome).

Kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës  në këtë organizim.

Mirëpo nesër në Tiranë mbahet një tjetër takim i rëndësishëm ku është e ftuar edhe Kosova.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bashkë me  katër liderët e tjerë të rajonit, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo si dhe ajo e Serbisë Ana Bërnabiç si dhe komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi do të drekojnë në vilën 30 mesditën e të hënës në një takim informal ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.

Mbledhja e radhës e nismës së Angela Merkelit ndërmarrë në 2014, do të zhvillohet në mesin e Tetorit në Tiranë ndaj kryeministri Rama ka vendosur të diskutojë paraprakisht me të gjithë vendet që janë pjesë e iniciativës së Procesit të Berlinit mbi projektet konkrete rajonale që duhet të shtyjnë përpara.Vetë Rama ndërmori dhe një tur rajonal javën e shkuar te të 5 vendet e Ballkanit Perëndimor për të folur për rëndësinë që ka fokusimi tek kjo nisme dhe jo Ballkani i Hapur që sipas tij e ka kryer misionin e tij.

Në Prishtinë, Rama  nuk u prit nga homologu Kurti i cili këmbënguli në zhvillimin e mbledhjes së anuluar të dy qeverive ndërkohë që nuk ka konfirmuar për të qenë as në Tiranë ditën e nesërme./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne